Komisioneri Europian për Zgjerimin Johannes Hahn i është drejtuar me një letër udhëheqësve politik kryesorë të vendit tonë, pas bisedave telefonike që ka zhvilluar me secilin prej tyre. Në letrën e tij drejtuar kreut të Kuvendit Meta, Kryeministrit Rama dhe kreut të opozitës Basha, komisioneri ka përcaktuar qartë ato që cilësohen si “vija e kuqe” për komunitetin ndërkombëtar në propozimin hibrid për reformën në drejtësi. “Së pari, roli i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit duhet të jetë i bazuar ligjërisht mbi Kushtetutë. Së dyti, vijon z. Hahn, pohoj edhe një herë se roli i këtij operacioni do të jetë vetëm rekomandues dhe jo ligjërisht detyrues. Megjithatë, këto rekomandime do të përmbajnë edhe arsyetimet e nevojshme ku do të shpjegohet pozicionimi i marrë sipas kritereve të përcaktuara nga legjislacioni.” Në përfundim, z. Hahn shprehet besimplotë se do të procedohet mbi këto baza.