Pas natës së ndarjes së çmimeve Oscar, Laura Pausini rikthehet këtë herë me një film të ri në Amazon, i bazuar në një ide origjinale të saj dhe ku ajo është protagoniste.
Projekti, në bashkëpunim me kompaninë e Jeff Bezos, nuk ka ende një titull, por xhirimet tashmë kanë filluar.
“Do të jetë një film artistik novator, që sjell një zhanër të ri dhe konfirmon dashurinë e Laurës për artin e shtatë, duke zbuluar shpirtin e saj të vërtetë për publikun, përmes pamjeve të papara të jetës së saj private dhe profesionale dhe duke i dhënë vetes Laura një mundësi të madhe për të zbuluar aspekte të vetvetes dhe botës së saj, të papara dhe të paimagjinuara ndonjëherë, që do t’i zbulohen publikut për herë të parë”, sipas një njoftimi nga Amazon Studios.
“Jam e lumtur që Amazon Studios e mbështetën menjëherë me entuziazëm idenë time artistike; do të përpiqemi ta shprehim në mënyrë më të sinqertë të mundshme, siç kam bërë gjithmonë me muzikën, këtë herë, me gjithë pasionin që kam për kinemanë”, tha Pausini.
Filmi është shkruar nga Ivan Cotroneo dhe Monica Rametta dhe drejtohet nga vetë Cotroneo.
Me produksionin nga Endemol Shine Italy, ai do të jetë në dispozicion ekskluzivisht në Amazon Prime Video në 240 vende dhe territore në të gjithë botën në 2022.
Pausini, e cila këtë vit ishte kandidate për një Oscar, me Diane Warren, për këngën “Io Sì” nga filmi “Life Ahead” me Sophia Loren, fitoi një Grammy për “Escucha” në kategorinë “Albumi më i mirë pop latin”.
Mbretëresha e popit italian ka realizuar 13 albume në studio, të shitura në mbi 70 milionë kopje në mbarë botën, por ky është filmi i parë që e sheh atë para kamerës.