Lajm i mirë për drejtuesit e automjeteve, ulen përkohësisht çmimet e siguracionit të detyrueshëm

Çmimet e sigurimit të detyrueshëm të mjeteve kanë pësuar një rënie të ndjeshme në ditët e fundit.

Sipas një vrojtimi të kryer nga Monitor pranë agjentëve të shitjes ditën e hënë, polica e sigurimit të detyrueshëm për një automjet me cilindratë mesatare, rreth 2000 cc dhe vjetërsi mbi 10 vjet (kategori që përbën shumicën e automjeteve në përdorim), mund të blihej me rreth 14,000 mijë lekë. Ky çmim është rreth 25% më i ulët se primi zyrtar i sigurimit i shkruar në policë, ndërsa më parë ulja maksimale kundrejt çmimit të policës mund të arrinte deri në 15%.

Advertisement

Të pyetur nga Monitor, drejtues të kompanive nuk kanë pranuar të komentojnë mbi arsyet pse sigurimet e mjeteve po shiten më lirë. Megjithatë, burime nga tregu shprehen se kjo situatë është e përkohshme dhe shumë shpejt çmimet do të kthehen në nivelet e mëparshme.

Deri afërsisht një dekadë më parë, produkti i sigurimit të detyrueshëm të mjetit për përgjegjësi ndaj palëve të tretë ishte një problem shumë i madh për tregun e sigurimeve, për shkak se shumë kompani e shisnin këtë produkt nën kosto, madje shpeshherë edhe me çmime simbolike. Ky fenomen u arrit të frenohej në fillim të dekadës së kaluar, pasi kompanitë e sigurimit ngritën një sistem shitjeje përmes një brokeri të përbashkët. Çmimet e shitjes ishin të stabilizuara dhe me diferenca shumë të vogla në mes kompanive. Kjo praktikë kishte tipare të një karteli dhe është kritikuar nga Autoriteti i Konkurrencës, megjithatë mekanizmi së paku mundësoi shmangien e konkurrencës së rrezikshme me ulje të çmimeve.

Ulja e çmimeve të policave të sigurimit zakonisht bëhet duke manovruar me komisionet e shitjeve që iu jepen agjentëve. Sa më i lartë komisioni, aq më shumë ka hapësirë agjenti për ta shitur policën e sigurimit me çmim më të ulët se ai që përcaktohet në policë. Nëse diferenca mes primit zyrtar dhe çmimit të shitjes arrin në 25%, atëherë komisioni duhet të jetë ndjeshëm më i lartë, sepse agjenti duhet të sigurojë edhe një fitim të vetin nga shitja e policës.

Muajin e kaluar, Bordi i AMF miratoi rregulloren “Për komisionet e ndërmjetësimit”, që parashikon se prej 1 janarit 2022, shoqëritë e sigurimit të jo-jetës, nuk mund të aplikojnë komisione ndërmjetësimi më të lartë se 20% e primit të shkruar bruto. Ndërkohë, duke filluar nga 1 janari 2023, komisioni tavan do të ulet në 18% të primit të shkruar bruto. Vendosja e niveleve tavan të komisioneve synon të rrisë eficiencën e shpenzimeve të kompanive të sigurimit të jo-jetës. Nivelet e propozuara të komisioneve maksimale janë ndjeshëm më të ulët se ato ekzistuese. Mbështetur në të dhënat e Raportit të Mbikëqyrjes së AMF-së, për vitin e kaluar raporti i shpenzimeve të marrjes në sigurim për produktin MTPL (sigurimi i detyrueshëm i mjeteve për përgjegjësitë ndaj palëve të treta) ishte mesatarisht 35.2% në nivel tregu. Në pjesën dërrmuese, këto shpenzime janë komisione që shkojnë për agjentët.

Në mungesë të shpjegimeve zyrtare nga kompanitë, ulja e çmimeve të policave TPL menjëherë pas miratimit të rregullores së re nga AMF mund të interpretohet si një përpjekje e kompanive të veçanta për të shfrytëzuar periudhën deri në hyrje në fuqi të tavanit të komisioneve (1 janar 2022) për të fituar pjesë tregu.