Mazhoranca dhe opozita materializuan në votë pro konsensusin e arritur më herë në lidhje me aktet nënligjore për ligjin e dekriminalizimit.
“Beteja më shumë se 2-vjeçare u finalizua dhe po përmbyllet vetëm faza ligjore. Na u desh një vit për konsensusin e 24 dhjetorit për ta materializuar në një ligj. Shqiptarët presin nga ne që ta miratojmë, presin që të largojmë kriminelët nga politika dhe administrata. Presioni i opozitës dhe ndërkombëtarëve na sjell këtu sot për të miratuar këtë akt. Kjo që keni sot përpara është projektvendim shumë i detajuar që nuk lë shteg që kriminelët të shpëtojnë, as atyre që janë sot, as atyre që duan të hyjnë në të ardhmen duke u hequr alibinë atyre që i kandidojnë”, tha Bylykbashi.
Përfaqësuesi i demokratëve tha se mbetet në nderin e Parlamentit, që ta çojë deri në fund zbatimin e këtij ligji.
Ndërkohë, kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi ia faturoi opozitës të gjitha vonesat për miratimin e këtij ligji.
“Nuk do të doja që edhe ky moment të shndërrohej në kredibilitete të pamerituara partiake. Maxhoranca nuk ka patur asnjë hezitim, por ja la në dorë opozitës, që për çudi opozita i zvarriti ato, kur gjëja ishte shumë e thjeshtë dhe ne iu referuam një precedenti, që ishte ligji Severino”, tha Ruçi.