Kukës | Rama prezanton programin: kuksianët të votojnë për veten e tyre

Sot në mesditë, në prani të mbi 600 simpatizantëve të tyre, socialistët kanë prezantuar programin e tyre qeverisës të rilindjes. Kryetari i PS-së, Edi Rama, në fjalën e tij theksoi se, “këtë herë duhet të votojmë jo si tifozë, pasi po i paguajmë harac besnikërisë ndaj partisë. Këtu në Kukës besimi te PD-ja ishte i madh, por sot Kukësi ka nivelin më të lartë të varfërisë, papunësisë etj”. Ai shprehu besimin se me 23 qershor kuksianët do të votojnë për veten e tyre duke bërë llogarinë e xhepit të tyre. Kreu i socialistëve duke iu referuar nivelit të varfërisë, theksoi se, “në ushqimoret e Shqipërisë familjet e varfëra kanë një borxh prej 150 milion lekësh” Ai vuri në dukje se, “kjo e bën të domosdoshme heqjen e taksës për biznesin e vogël”. Një vemendje e vecantë në programin e PS-së iu kushtua moshës së tretë, punonjësve të mjekësisë, të arsimit etj, vecanërisht rritjes së të ardhurave të tyre përmes heqjes së taksës së sheshtë. “Janë të gjitha këto arsye që zgjedhjet më 23 qershor janë zgjedhje mes një force te pushteti të dështuar dhe një tjetre që meriton të vihet në provë. Vota është një mundësi për një kontratë të re”, theksoi Rama. Në këtë takim përfaqësues të PS-së zbërthyen programin qeverisës të PS-së, vecanërisht në aspektin ekonomik. Kryetari i PS-së, Edi Rama, prezantoi edhe kandidatin për deputet të PS-së, Vexhi Mucmata, duke theksuar se “janë të gjitha mundësitë që në Kukës të marrim dy deputetë, ndërsa me 75 deputetet tanë do të mund t’u japim zgjidhje problemeve që shqetësojnë sot gjithë shqiptarët”.

Advertisement