Tiranë | Kryeministri Berisha: mosha për votim të ulet në 16 vjeç

Kryeministri Sali Berisha, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar demokrat kërkoi nisjen e negociatave me përfaqësuesit e opozitës për uljen në 16 vjeç të moshës së personave për votim, nga 18 vjeç që parashikohet aktualisht në kodin zgjedhor. Kryeministri tha se ky akt do e fisnikëronte procesin e votimit, duke i dhënë të drejtën e votimit mbi 100 mijë votuesve të rinj. “Do t’i kërkoja kreut të grupit parlamentar Astrit Patozi që të negociojë me kreun e grupit socialist, Gramoz Ruçin dhe me grupet e tjera parlamentare për uljen e moshës së votimit në 16 vjeç”, propozoi kryeministri. Ai tha se janë me qindra të rinjtë të cilët “më pyesin në FB apo me sms për arësyet se pse ata nuk votojnë”. “Po ta mendojmë thellë moskonsiderimi i tyre dëshmon një prapambetje të gjykimit tonë për ta”, u shpreh kreu i qeverisë, i cili më pas vlerësoi maksimalisht brezin e ri, duke e cilësuar “një gjeneratë brilante, e pakrahasueshme me asgjë tjetër në historinë e kombit”. “Shqipëria nuk ka pasur kurrë në histori një gjeneratë brilante si kjo e tanishmja, ndaj do i bëjmë një ftesë zyrtare Gramoz Ruçit për këtë qëllim. Nuk ka asnjë vështirësi se gjithshka e kemi automatike për listat e votimit, mjafton vullneti i forcave politike”, theksoi Berisha.

Advertisement