Kukës | Prezantohet kandidati për deputet i PS Vexhi Muçmata

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, prezantoi sot kandidatin për deputet në Kukës, juristin Vexhi Muçmata. Gjatë prezantimit të Muçmatës, Rama bëri dhe një prezantim të situatës në Kukës, duke theksuar se rreth 70% e familjeve jetojnë me ndihmë ekonomike, ndaj për këtë arsye ky qark ka nevojë për njerëz me nivel si Muçmata për t’u përballuar me sfidat. “Juristi Vexhi Muçmata do të udhëheqë skuadrën tonë drejt fitorës në Kukës. Jam mirënjohjes Vexhiut sepse bashkimi i tij në rrugën tonë flet qartë për nevojën qytetare për Rilindjen që duam të japim vendit”, theksoi Rama. Kandidati Muçmata theksoi se do i shërbejë banorëve të Kukësit pa dallime partiake. Ndërkohë, i menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetit aktual të PS për Qarkun e Kukësit, Asllan Dogjani, i cili ka akuzuar kreun socialist se po shkel statusin e PS. Dogjani shprehet në reagimin e tij se “Rama nuk mori parasysh kërkesën e mbi 250 anëtarëve të Partisë Socialiste që kërkuan të drejtën për të zgjedhur kryetarin e tyre me votë, duke treguar se rregullat janë bërë formalisht dhe jo për t’u respektuar”. Sipas tij, “ky njeri që nesër pretendon të bëhet Kryeministër u tregoi shqiptarëve se po kërkon ta identifikojë Partinë me kryetarin, tamam si në kohën e diktaturës, ku partia identifikohej me Enverin”. “Por socialistët e vërtetë do fitojnë në zgjedhjet e 23 qershorit dhe do vendosin me votë për kryetarin e tyre. Me njerëz të tillë, Partia Socialiste nuk mund të ecë përpara”, përfundon Dogjani.

Advertisement