Tiranë | Alfatoksina në ushqime, kërkohet tërheqja vullnetare e produkteve nga tregu

Rezultatet e analizave paraprake të bëra dje në laboratorët e Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë në Tiranë, krijojnë dyshime për përmbajtje mbi normat e lejuara nga BE të Aflatoksinës në partitë e kontrolluara të disa subjekteve shqiptare dhe të importit. AKU njoftoi sot se “këto rezultate mbeten paraprake, pasi ISUV ende nuk është laborator i akredituar për analizat e Aflatoksinës”. Por pavarërisht, drejtues të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit duke menduar për sigurinë e konsumatorit, u takuan dje me subjektet prodhuese dhe u kërkoi të tërheqin nga tregu vullnetarisht gjithë produktet e dyshuar për përmbajtje Alfatoksinë, deri në përfundimin e analizave mbi të gjitha partitë e mallit gjendje në magazina apo rrjetin shpërndarës. AKU njofton marrjen e masave, me qëllim që analizat e kryera si dhe ato që do të vijojë të kryejë, do të konfirmohen në laboratorë të akredituar nga Bashkimi Europian. “E marrim këtë masë, për arsye se as laboratorët e Shqipërisë dhe as ata të Kosovës, ende nuk janë akredituar për kryerjen e analizave të mykotoksinave”, thanë burimet zyrtare të tij. Sipas tyre, MBUMK dhe AKU kanë nën kontroll të plotë situatën. “Nga të dhënat paraprake, gjykojmë që shkaqet të jenë të karakterit sezonal, pasi institucionet tona e kanë mbajtur vazhdimisht nën monitorim këtë industri dhe kanë zbatuar me përpikmëri Planin Kombëtar të Mbetjeve, për të cilin raportojmë çdo vit në Bruksel”, thanë burimet. Ato shtuan se të 17 analizat e kryera vetëm për Aflatoksinën në zbatim të këtij plani për vitin 2012 kanë rezultuar negative. AKU njofton se në shtete të ndryshme, normat e lejuara të Aflatoksinës janë të ndryshme, psh në SHBA kanë një normë të lejuar 10 herë më të lartë se norma e BE-së dhe Shqipërisë. “Rezultatet e analizave, mbi të cilat është ngritur dyshimi ynë tregojnë një normë shumë më të ulët se sa ajo e lejuar në SHBA”, thonë burimet zyrtare të AKU.

Advertisement