Kujt ia dedikon këngën “Mall”? Eugenti flet për herë të parë pasi kaloi në finale

Performanca e djeshme e Eugent Bushpepës ndezi Altice Arena në Lisbonë, ku çdo gjë shkoi ashtu siç pritej: zëri, performanca, veshja, skenografia etj. Kënga “Mall” e interpretuar në shqip arriti të kualifikohej në finale.

Pas gjysmë finales së parë ku Eugenti këndoi i treti, u mbajt një konferencë me artistët që performuan.

I pyetur nga prezantuesi nëse ndjen të njëjtat emocione kur këndon në këtë event me emocionet që ndjen kur këndon në club, Eugenti u përgjigj: “Për sa kohë që transmeton emocione me anë të muzikës, është e njëjta gjë”.

 

“Skena ishte fantastike. U ndjeva shumë mirë, publiku ishte gjigand. Të ndash dashurinë me publikun është njësoj”, u shpreh Eugenti.

I pyetur  gjatë konferencës se kujt ja kushton këngën, ai u përgjigj: “Është një këngë për dashurinë, është një këngë për mallin ndaj personave që do më shumë, kështu që unë ia dedikoj të gjithë shqiptarëve sepse po më mungojnë që kur kam ardhur këtu”.