Kufizimet e “Google”, çfarë ndodh tani me përdoruesit e “Huawei”-t?

“Google” ka ndaluar prodhuesin e telefonëve “Huawei” nga disa përditësime të sistemit operativ “Android”, duke shkaktuar kështu një telash për kompaninë kineze. Telefonët e rinj “Huawei” do të humbasin po ashtu qasjen në aplikacionet popullore të “Google”. Lëvizja vjen pasi administrata e Trumpit e shtoi “Huawei”-n në listën e kompanive, me të cilat firmat amerikane nuk mund të bashkëpunojnë nëse nuk kanë një licencë. Në një deklaratë, “Google” tha se po i bindej urdhrit dhe se po vlerësonte pasojat. Vet “Huawei” nuk ka bërë deri më tani komente. Por, çfarë do të thotë kjo për përdoruesit e “Huawei”-t? Telefonat nuk do të kenë më përditësimet e sigurisë së “Google” dhe as mbështetjen teknike, ndërkohë që aparatet e reja nuk do të kenë as aplikacione si “YouTube” apo “Google Maps”.

Përdoruesit aktualë të “smartphone”-ve të markës “Huawei” do të mund të përditësojnë aplikacionet dhe të vazhdojnë me përditësimet e sigurisë, si edhe të shërbimeve të “Google Play”. Por, nëse “Google” lëshon një version të ri të “Android”-it, “Huawei” nuk do të jetë në gjendje të bëjë përditësimin në telefonat e tij. “Huawei” sidoqoftë mund të përdorë sistemin operativ “Android” në treg përmes një licence. Për ekspertët, lëvizja e “Google” do të ketë pasoja të konsiderueshme për biznesin e “Huawei”-t. Të mërkurën e kaluar, Trump e shtoi “Huawei”-n te lista e entiteteve që e ndalon kompaninë të përdorë teknologji nga kompanitë amerikane, pa një miratim qeveritar. “Huawei” përballet me një bllokadë në vendet perëndimore, me në krye Shtetet e Bashkuara, për rreziqet e mundshme që mund të paraqesin produktet e tij në rrjetet e gjeneratës së ardhshme “5G”. Disa vende kanë ngritur shqetësime se “Huawei” mund të përdoret nga Kina për përgjime, akuza që kompania i ka mohuar në vazhdimësi.

/TopChannel/