“Për të shijuar kryeveprat e artit roman nuk është nevoja të shkoni deri në Romë”. Kështu shkruan në Facebook-un e saj ministrja e Kulturës, e cila fton të gjithë publikun kryeqytetas të bëhet pjesë e ekspozitës së veçantë, e cila do të qëndrojë e hapur nga 16 janari deri më 2 prill 2017.
“S’ka nevojë të shkoni deri në Romë, për #Roma900. Punohet intensivisht dhe investohet në Galerinë Kombetare të Arteve për të shpalosur kryeveprat tashmë pak hapa larg, këtu në Tiranë duke filluar nga data 16 janar. Ndërkohë përgatitet skuadra e edukimit kulturor që për 3 muaj do të mirëpresë nxënësit e shkollave me një program të dedikuar për fëmije e të rinj”,- shkruan Kumbaro, e cila zbulon edhe disa foto nga instalimi i këtyre veprave në GKA.
Ekspozita KRYEVEPRAT e artit italian të viteve 1900 përmban më shumë se 100 vepra të shkëlqyera të Galerisë së Artit Modern të Romës. Kjo ekspozitë është mbështetur fuqimisht nga institucionet publike shqiptare si Ministria e Kulturës, Kryeministria, Ambasada e Italisë në Tiranë, Galeria Kombëtare të Arteve në Tiranë, Instituti Italian I Kulturës dhe me promovues të palës italiane Bashkinë e Romës, Departamentin për Rritjen Kulturore – Arkeologjinë si dhe me kontributin themelor të Fondacionit Terzo Pilastro – Italia dhe Mesdheu.