Kroaci | Ballkani, me një zë dhe projekt në Berlin

Kryeministri Edi Rama mori pjesë dje, në takim katërpalësh me Kryeministrat e Kroacisë, të Malit të Zi dhe të Bosnjës në Kroaci.

Takimi u iniciua në kontekstin e Konferencës së Berlinit për Ballkanin Perëndimor, të datës 28 gusht, me qëllim koordinimin e qëndrimit në këtë konferencë. Kryeministri Rama rishprehu pikëpamjen e Qeverisë shqiptare se është një kohë e re për Ballkanin dhe kjo kërkon edhe një perspektivë të re në bashkëpunim rajonal. Kryeministri Rama, i cili para këtij takimi zhvilloi edhe një takim koordinues me Kryeministrin e Kosovës, theksoi se këtë frymë të re në rajon do ta përcjellin sëbashku edhe në Konferencën e Berlinit, ku do të flasin me ide dhe projekte konkrete zhvillimi, ndër të cilat autostrada Adriatiko-Joniane. “Sot jemi këtu, të gjithë sëbashku, me Kryeministrin e Kroacisë, të Malit të Zi dhe të Bosnjës, për të pasur një pozicion të përbashkët në Konferencën e Berlinit, lidhur me një projekt madhor, që është projekti i ”Korridorit të Kaltër” apo autostradës që do të lidhë pjesën tjetër të Mesdheut, veriun e Kroacisë me pjesën jugore të Kroacisë, me Malin e Zi, me Shqipërinë dhe më poshtë me Greqinë, për të krijuar përfundimisht “Unazën e Mesdheut,” – u shpreh Kryeministri Rama. Kryeministri Rama, ndërsa garantoi mbështetjen e plotë të Shqipërisë për këtë projekt dhe çdo projekt zhvillimi rajonal, theksoi se bashkëpunimi i qëndrueshëm në rajon është një domosdoshmëri për prosperitetin e Ballkanit Perëndimor dhe për të çuar përpara procesin europian të integrimit. Edhe Kryeministri kroat Zoran Milanoviç shprehu mbështetjen e Kroacisë për realizimin e këtij projekti, duke e quajtur atë një “trase që ndërlidh rajonin.” Kryeministrin malazez Milo Gjukanoviç nënvizoi se ky takim është tregues i një pjekurie dhe përgjegjësie të të gjitha vendeve të rajonit. Mbështetje të plotë për realizimin e këtij projekti shprehu edhe Kryeministri i Bosnjës Vjekoslav Bevanda.

Advertisement