Një grua në të 60-at ka humbur jetën nga mbytja në lumin Moraça në Podgoricë, ndërsa nipi i saj, është nxjerrë e gjallë nga aty dhe është transferuar në Spitalin e Fëmijëve.
Rastësisht, foshnja e vogël u shpëtua nga deputeti shqiptar në Parlamentin e Suedisë, Adnan Dibrani, moment i cili u kap nga kamerat televizive të Malit të Zi.
Foshnja që u shpëtua është në gjendje të qëndrueshme shëndetësore edhe pse do të ketë nevojë për kujdes të vazhdueshëm.
“Fëmija është në rrezik të komplikimeve të aspirimit dhe infeksionit. Ai po monitorohet në reanimacion dhe çdo prognozë është e rëndë, po të kemi parasysh që fëmija është dy muajsh”, tha për RTCG, mjeku kujdestar nga Reparti Intensiv i Institutit për Sëmundjet e Fëmijëve.
Dibrani ndodhej aty si pjesë e misionit vëzhgues të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, që pasoi ditën e zgjedhjeve në Mal të Zi.
Adnan Dibrani është nga Mitrovica dhe ka migruar në Suedi në vitin 1992. Ai është deputet i Parlamentit të Suedisë nga radhët e Socialdemokratëve.