KQZ shqyrton kërkesën e PD për bashkinë e Kurbinit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po shqyrton kërkesën ankimore të Partisë Demokratike për bashkinë e Kurbinit.

Ky subjekt ka kërkuar shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve dhe përsëritjen e tyre në këtë bashki. Partia Demokratike nuk pati kandidat në këtë garë, pasi kandidati i saj Altin Biba u dorëhoq, ndonëse Komisioni vendosi t’ia lërë emrin në listë.

Advertisement

Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Ivi Kaso u shpreh se në këtë bashki procesi zgjedhor u deformua.

Sipas tij, komisionerët e djathtë u nxorrën jashtë loje në KZAZ 15 dhe se kryetari i kësaj KZAZ-je ishte mbështetës i kandidatit të mazhorancës dhe anëtarë i stafit të tij elektoral.

Po kështu ai tha se bashkëshortet e dy anëtarëve të Komisionit Zonal kandidonin për këshilltare bashkiake për mazhorancën.

Kaso bëri të ditur se provat për këto parregullsi, Partia Demokratike i ka dërguar edhe në Prokurori.