UNESCO heq Beratin dhe Gjirokastrën nga lista e Trashëgimisë Botërore në Rrezik

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, tha këtë të premte, gjatë një konference për shtyp, se Komiteti i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, i cili vlerësoi progresin e arritur në menaxhimin e sitit të Gjirokastrës dhe Beratit në dy vitet e fundit, i hoqi këto dy qytete nga lista e Trashëgimisë Botërore në Rrezik.

Sesioni i 39-të i Komitetit të Trashëgimisë Botërore, i mbajtur në Bon (Gjermani) nga 28 qershori deri më 8 korrik, diskutoi edhe Raportin e Gjendjes së Konservimit (SoC) të Qendrave Historike të Gjirokastrës dhe Beratit, site të regjistruara në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Advertisement

Raporti ishte paraqitur nga autoritetet shqiptare në shkurt 2015, dhe sipas ministres Kumbaro, ky tip raporti, ndryshe nga raportet periodike, është pjesë e bashkëpunimit ad hoc që Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës zhvillon me UNESCO-n që nga vjeshta 2013, për shkak të gjendjes së degraduar të monumenteve në vitet e shkuara.

“Duhet të theksojmë se sidomos vitet 2011, 2012 dhe 2013 janë vite të rënduara të marrëdhënieve të shtetit shqiptar me UNESCO-n, pasi misionet speciale të monitorimit kanë prodhuar raporte emergjence pas vizitave dhe informacioneve të gjendjes së qendrave historike të Gjirokastrës dhe Beratit”, theksoi znj. Kumbaro.

Ajo solli në vëmendje edhe një pjesë nga raporti i posaçëm i vitit 2013, ku thuhej: “Qendra e Trashëgimisë Botërore konsideroi se përmasat e ndërtimeve pa leje në këto dy qytete janë alarmante dhe konstatoi se nuk ka asnjë plan veprimi nga Shteti palë për ta ndaluar këtë dëmtim. Po ashtu, trashëgimia kulturore ishte në situatë shumë të vështirë dhe kishte pësuar degradim për shkak të punimeve të ndërtesave ilegale dhe të mungesës së masave për t’i trajtuar këto dhunime”.

Në të njëjtën periudhë, Qendra e Trashëgimisë Botërore paraqiti ankesa për mungesën e komunikimit nga shteti shqiptar me UNESCO-n, çka sipas ministres Kumbaro, rëndoi dhe marrëdhëniet me këtë organizatë kaq të rëndësishme për kulturën dhe arsimimin e shteteve anëtare.

“Për këto arsye, dy qendrat historike ishin vendosur në monitorim të rreptë me paralajmërimin për t’u përfshirë në listën e siteve të rrezikuara të Trashëgimisë Botërore”, shtoi Kumbaro.

Ministrja shtoi më tej se e ka konsideruar si një prioritet absolut reformën e plotë në trashëgimi dhe në sistemin e menaxhimit të saj, si dhe rishikimin dhe rindërtimin e marrëdhënieve me UNESCO-n në shërbim të mbrojtjes, njohjes dhe promovimit të vlerave jo vetëm të dy qyteteve, pjesë e trashëgimisë botërore por të të gjithë trashëgimisë tonë kulturore.

Komunikimi i rregullt dhe raportimi sipas të gjitha standardeve, i punës së kryer çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, me monumentet, me restaurimet, me ndërhyrjen në monumente me operacione shpëtimi sipas një liste prioritare, rindërtimi i inventarit të monumenteve, i papërditësuar që prej 25 vitesh, këshillimi me UNESCO-n për çdo hap të hedhur, dhe sidomos moratoriumi i tetorit 2013 për të pezulluar lejet zhvillimore në zonat e trashëgimisë, ishin disa nga masat që renditi ministrja Kumbaro e që sipas saj, shënoi një ngjitje në shkallën e vlerësimit nga UNESCO-s në vitin 2014.

Megjithatë, raporti i fundit paraqitur nga Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve, në shkurt të 2015 u bë objekt shqyrtimi i sesonit të Komitetit të Trashëgimisë Botërore që po zhvillohet në Bon.