Komisioni Qendror i Zgjedhjeve iu bën thirrje partive politike të ndalojnë menjëherë fushatën zgjedhore, pasi janë në shkelje të Kodit Zgjedhor”.
Për herë të parë, nga një drejtues i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve lëshohet një apel i tillë ndaj partive politike, pavarësisht se aktivitetet partiake kanë qenë të tilla të pranishme përpara çdo procesi zgjedhor.
Në mbështetje të kësaj deklarate, kryetarja e KQZ-së citoi nenin 77 të Kodit Zgjedhor, i cili përcakton vetëm afatin ligjor të fillimit dhe mbarimit të fushatës elektorale, 30 ditë përpara datës së votimit.
“Neni 77 përcakton se fushata zgjedhore fillon 30 ditë përpara datës së zgjedhjeve dhe përfundon 24 orë përpara kësaj date. Dhe, siç KQZ e ka bërë tashmë të ditur, fushata zgjedhore fillon në datën 22 Maj. Neni 172 përcakton se, shkelja e ndonjërit nga parimet e përgjithshme të përcaktuara në nenet 3, 4 ose 5 të këtij Kodi, në rastet kur kjo nuk përbën shkelje në rezultatin e zgjedhjeve, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë nga 100 mijë deri në 500 mijë lekë. Nëse partitë politike nuk do të ndërpresin menjëhere fushatën zgjedhore të nisur, sipas përcaktimeve të Kodit Zgjedhor, atëherë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të marrë masat e parashikuara”, tha kryetarja e KQZ-së, Lefteri Lleshi.
Ndërkohë kryetarja e KQZ-së, pas partive i ka bërë apel edhe medias.
“Gjithashtu, ky apel vlen edhe për mediat, të cilat po ashtu janë të detyruara të zbatojnë Kodin Zgjedhor, pasi neni 77 përcakton detyrimin edhe për mediet për fillimin e fushatës zgjedhore, konkretisht në datën 22 Maj. Ndaj mediat duhet të mos transmetojnë asnjë material të fushatës zgjedhore të kandidatëve apo partive politike”, vijoi më tej Lefteri Lleshi.