Me 71 vota pro, 42 kundër dhe 1 abstenim është zgjedhur në krye të Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli.
Ndërkaq Kuvendi ka zgjedhur edhe tre nënkryetarët: Xhavit Haliti, Sabri Hamiti dhe Glauk Konjufca. Kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit Kadri Veseli, pas fjalës së tij ka njoftuar se seanca e Kuvendit do të vijojë në orën 15:00 kur pritet të votohet qeveria e re e Kosovës. Veseli, në fjalën e tij të parë pas zgjedhjes në krye të këtij institucioni theksoi se do të punojmë me përkushtim, për një Kosovë demokratike. “Synimi ynë do të jetë përkushtimi në aprovimin e ligjeve, të cilat do të garantojnë një ambient për zhvillim, rrugën për integrime euroatlantike, vende të reja pune dhe zhvillim ekonomik. Unë që nga sot si kryetar i juaji do të respektoj fjalën tuaj si deputet, të pozitës dhe opozitës. Do të angazhohem që debatet tona, të jenë mbi politikat ditore, por në interes të vendit. Ky do të jetë kuvendi që do t’i themelojë dhe forcat e armatosura të Kosovës. Ne duhet bashkërisht të angazhohemi të vazhdojmë traditën si një vend tolerant dhe shembull i bashkëjetesës ndërfetare dhe etnike. Do të punojmë fuqimisht që pakicat e Kosovës, të mos jenë asnjëherë të rrezikuara nga shumica. Ne kemi përjetuar çka do të thotë të jesh i shtypur. Si kryetar i Kuvendit jam i vendosur që në Kosovë të mos krijohet kurrë më një klimë e tillë, që qytetarët të nënshtrohen në bazë të etnisë”, nënvizoi Veseli. Veseli foli edhe për vlerat e luftës së UÇK-së dhe për veprën e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova. Ai, pas fjalimit në gjuhën shqipe, iu drejtua deputetëve edhe në gjuhën serbe.