Ai tha se, në planin e brendshëm ajo po konsolidohet gjithnjë e më shumë. Kryeministri Thaçi është shprehur i bindur se vleresimi i ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të jetë në favor të Kosovës dhe kjo ‘do të hapë perspektiva të reja për vendin. Duke folur për bisedimet me Serbinë, kryeministri Thaçi ka theksuar se Kosova është e hapur për çfarëdo bisedimesh, por duke përjashtuar tri çështje ‘të mbyllura’. “Tri çështje janë plotësisht të panegociushme për Republikën e Kosovës. E para, ne nuk pajtohemi me gjendjen në veri dhe punojmë maksimalisht që gjendja atje të ndryshojë. Çështja e dytë, që është plotësisht e përjetshme e përgjithmotshme, është statusi i Kosovës, Kosova shtet i pavarur dhe sovran. Dhe çështja e tretë, integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i respektuar, i garantuar dhe i njohur ndërkombëtarisht”, ka saktësuar Thaci.