Kosovë – Tahiri, shkak për mos vendosjen e marrëdhënieve me Shkupin është Serbia

Tahiri ka deklaruar se Shkupi shtyn vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Prishtinën, për shkak të lidhjeve të saj shpirtërore dhe kulturore me Serbinë. “Sigurisht se në mendimin politik të Maqedonisë një rol të rëndësishëm kanë lidhjet kulturore e shpirtërore të saj me Serbinë. Por një mendim i tillë, po qe se kultivohet, atëherë mund të ketë efekte përjashtuese për popullatën jo-maqedone e cila ka orientime tjera në këto dimensione. Mendoj se sfida e madhe e udhëheqjes së Maqedonisë është që të mendoj me dimensione multietnike si në politikën e brendshme ashtu edhe në të jashtmen si rrugë e vetme që garanton harmoni dhe prosperitet për të gjithë qytetarët dhe komunitetet që jetojnë atje”, ka theksuar deputetja e ADK-së, Edita Tahiri. Sipas saj, Kosova dhe Maqedonia kanë nevojë jo vetëm për raporte zyrtare ndërshtetërore por edhe për raporte të sinqerta dhe të dinjitetshme që bëjnë të kuptohet se dy vendet ushqejnë respekt për njëra-tjetrën. “Rasti i takimit të parë të dy presidentëve dhe loja me axhendën e vizitës së Presidentit Sejdiu në Maqedoni si dhe mungesa e ftesës për ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të ri maqedonas nuk i kontribuojnë raporteve të dëshiruara të fqinjësisë së mirë. Është esenciale që mendimet dhe qëndrimet zyrtare të ndërtohen mbi nevojën që të gjithë së bashku të punojmë për një të ardhme më të ndritur të rajonit dhe të vendeve tona”, ka theksuar diplomatja e mirënjohur kosovare, Edita Tahiri. Ajo ka ripërsëritur arsyet se përse Maqedonia dhe Kosova duhet të vendosin marrëdhënie ndërshtetërore, duke u nisur nga synimet e përbashkëta si në aspektin e marrëdhënieve të mira fqinjësore në sferën ekonomike, të përpjekjeve për një rajon stabil si dhe në aspektin e fuqizimit të perspektivave euro-atlantike të rajonit. Duke folur për zhvillimet e brendshme në Maqedoni, ajo ka theksuar se me rëndësi të veçantë për këtë vend është përshpejtimi i përmbushjes së obligimeve ndaj marrëveshjes së Ohrit në mënyrë që shqiptarët atje të ndjehen të barabartë dhe të realizuar.

Advertisement