Kosovë – Nis punimet samiti i tretë rajonal

Ky samit është vlerësuar se do të shtyjë përpara procesin e bashkëpunimit në rajon, si dhe do të promovojë paqen dhe stabilitetin e kësaj pjese të Evropës. Ndërkaq, thirrja e këtij samiti nga presidenti Fatmir Sejdiu, nga politika kosovare dhe analistët është cilësuar si mesazh i Kosovës, përmes së cilit shprehet gatishmëria për bashkëpunim me të gjithë fqinjët. Kosova, si shteti më i ri në rajon dhe Evropë, ka vendosur tashmë marrëdhënie diplomatike në nivel ambasadash me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Ndërkaq, me Malin e Zi ende nuk është vendosur një nivel i tillë i marrëdhënieve. Sidoqoftë, pas njohjes së komunitetit malazez si pakicë në Kosovë, vendosja e marrëdhënieve në nivel ambasadash me Podgoricën shihet vetëm si çështje kohe. Sipas agjendës zyrtare, tashmë kanë filluar takimet bilaterale ndërmjet katër presidentëve. Kurse, në orët e pasdites pritet të mbahet një takim i përbashkët ndërmjet katër presidentëve, pas të cilit ata do të dalin para medieve për të prezantuar rezultatet dhe mesazhet politike që kanë samitet e tilla.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -