Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka pritur në një takim kryeministrin Hashim Thaçi, të shoqëruar nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, dhe nga ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj. Nga deklarata e Presidencës bëhet e ditur se Thaçi ka njoftuar Jahjagën për takimin në Bruksel me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiç. “Vazhdimi i proçesit të dialogut, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe me përkrahjen e vazhdueshme dhe të fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, lehtëson jetën e qytetarëve të të dyja shteteve dhe është kontribut për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve”, citohet të ketë thënë Jahjaga. Në takim mësohet të jetë biseduar edhe për disa çështje nga fusha e rendit dhe e sundimit të ligjit dhe për çështje të politikës së jashtme dhe të diplomacisë.