Kosovë – Fillon fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka çertifikuar 29 subjekte politike elektorale me 1 mijë e 265 kandidatë për deputetë të Kuvendit të Kosovës. Kuvendi i Kosovës përbëhet prej 120 deputetësh, 100 prej të cilëve zgjidhen direkt, ndërsa 20 vende janë të rezervuara për komunitetin serb dhe pakicat e tjera. Në zgjedhjet e Dhjetorit do të marrin pjesë 29 subjekte politike, prej të cilave tetë janë serbe. Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Kosovës, Jakup Krasniqi, me rastin e fillimit të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 12 Dhjetorit, u bëri thirrje të gjitha subjekteve politike që fushatën parazgjedhore ta bëjnë në përputhje me ligjin dhe rregullat në fuqi, duke zhvilluar garë korrekte të programeve dhe ideve, pa nxitur dhe provokuar urrejtje e mosdurim. Krasniqi, sipas RTK-së, theksoi se një fushatë korrekte dhe demokratike do të sigurojë një votim të qetë e të rregullt, dhe përfundim të suksesshëm të gjithë proçesit zgjedhor, kurse kurorëzimi i suksesshëm i zgjedhjeve, i pranueshëm për të gjithë dhe i vlerësuar ndërkombëtarisht, është garanci e konsolidimit të institucioneve përfaqësuese që do ta çojnë të sigurt vendin tonë drejt arritjeve të reja dhe historike.

Advertisement