Kosovë – Autoritetet mohojnë bashkëpunimin për protokollin EULEX-Serbi

Udhëheqësit e Kosovës duke kundërshtuar lajmin, pohuan se nuk janë pjesë e diskutimeve për protokollin e bashkëpunimit policor ndërmjet EULEX-it dhe Beogradit duke ngulur këmbë në refuzimin e plotë të tij. Nga ana tjetër, ata theksuan gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin me praninë civile ndërkombëtare. Ndërkaq, në disa media qarkulloi lajmi se marrëveshja me Prishtinën për t’i dhënë dritën e gjelbër nënshkrimit të protokollit EULEX-Serbi është çështje orësh dhe jo ditësh. Duke cituar një zyrtar të lartë evropian, lajmi pohonte se po negociohet për këtë çështje mes presidentit Sejdiu dhe kryeministrit Thaçi, si edhe përfaqësuesit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Pieter Feith. Duke dhënë garancinë e tij se protokolli nuk do të cenojë sovranitetin e Kosovës, pretendohet se Feith po kërkon të bindë përfaqësuesit kosovarë të pranojnë protokollin, gjë që kundërshtohet prej tyre në mënyrë kategorike.

Advertisement