Kompetencat e presidentëve amerikanë janë relativisht të kufizuara, me ligj, krahasuar me drejtuesit e shumë demokracive të tjera.
Ndarja e sanksionuar me kushtetutë e pushteteve pajis pushtetin legjislativ dhe gjyqësor të qeverisë amerikane me autoritete të ndara në mënyrë të barabartë.
Federalizmi, që ruan autoritetin e shteteve në shumë çështje, e kufizon më tej shefin ekzekutiv.
Por, presidenti amerikan komandon një katedër të lartë, që presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump e ka lartësuar përmes mediave sociale.
Presidenti ka kontroll të konsiderueshëm mbi burokracinë zvarritëse federale dhe prestigji i zyrës i jep peshë të mëtejshme vendimeve të tij.
Disa nga fuqitë që shkojnë me postin janë rutinë dhe të dukshme, të tilla si zbatimi i ligjeve dhe përfaqësimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në bisedimet me vendet e tjera.
– Presidenti nuk ka fuqi që të deklarojë zyrtarisht luftë, që është përgjegjësi e Kongresit amerikan. Megjithatë presidenti mund të dërgojë trupa ushtarake në vende të huaja, nëse është e nevojshme, për sigurinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas ligjit, atëherë ai duhet t’i kërkojë Kongresit të miratojë këto veprime brenda 90 ditëve.
– Presidenti është komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura amerikane. Vetëm ai mban kodet për lëshimin e armëve bërthamore si edhe serinë e hapave të nevojshme për të përdorur armët bërthamore. Megjithatë, në rrethana të caktuara sekretari i Mbrojtjes dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm mund ta pengojnë në ndërmarrjen e këtij veprimi.
– Presidenti amerikan nuk mund të propozojë legjislacione, por zakonisht mund të gjejë një anëtar të Kongresit që të paraqesë propozimet e tij. Ai mund të miratojë dekrete presidenciale, të quajtura urdhra ekzekutive, të cilat kanë fuqinë e ligjit në disa raste. Ai ka të drejtën e vetos ndaj çdo ligji të miratuar nga Kongresi. Megjithatë, vetoja e tij mund të shkelet nga një shumicë votash prej dy të tretave të secilës dhomë, në Dhomën e Përfaqësuesve me 435 anëtarë dhe në Senatin prej 100 anëtarësh.
– Nëse lind një mosmarrëveshje me Kongresin, presidenti nuk ka fuqinë të shpërndajë legjislaturën, siç mund të ndodhë në një sistem parlamentar, dhe kërkojë zgjedhje të reja. Trump do të ketë shumicën e partisë së tij konservatore të qendrës së djathtë si në Kongres ashtu edhe në Senat, por çdo anëtar zgjidhet në mënyrë të pavarur dhe nuk i nënshtrohet disiplinës partiake.
– Presidenti i SHBA-së emëron anëtarët e Gjykatës Supreme të SHBA si dhe të të gjitha gjykatave të apelit dhe të gjykimit në sistemin federal. Të nëntë gjyqtarët emërohen të përhershëm, me miratimin e Senatit. Emërimet e presidentit bëhen vetëm pasi krijohet një vend i lirë në gjykatë nëpërmjet dorëheqjes apo vdekjes së një gjyqtari.
– Presidenti i SHBA-së mund të falë të burgosurit, dhe mund t’i kursejë ata nga ekzekutimi nëse janë dënuar me vdekje.