Arsimi dhe Formimi Profesional, në bazët të ligjit të ri të miratuar të enjten në parlament do të jetë nën varësi të Shërbimit Kombëtar të Punës. Ky i fundit gjithashtu do të shndërrohet në Agjencinë për Profesione dhe Kualifikime.
Nga Analiza Vjetore e Shërbimit Kombëtar të Punësimit, ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë Blendi Klosi bëri me dije kalimin e kompetencave direkte të shkollave dhe qëndrave profesionale nën varësinë e Agjencisë së re, sot Shërbimi Kombëtar i punësimit. “ Kjo bëhet me një qëllim të vetëm, për të lidhur në të njëjtën zyrë edukimin me punësimin”, deklaroi ministri Klosi.
“Shkollat dhe qendrat profesionale do të shndërrohen në qendra multifunksionale që do të ofrojnë cikle mësimore kualifikimi për të gjithë”, shtoi ministri Klosi. “Për t’i ardhur në ndihmë tregut të punës, ne na duhet të transformojmë shërbimin më pranë qytetarëve, nga një shërbim në bazë rrethi në një shërbim që ofrohet në çdo bashki. Në të 61 bashkitë e vendit do të ketë zyra pune. Duhet t’i shërbejmë më afër dhe më mirë bisnesit dhe punëkërkuesve”, deklaroi ministri Klosi.
Analiza e Shërbimit Kombëtar të Punës, me praninë e drejtorëve rajonalë të SHKP-së, u zhvillua në Biznesin EXPO Konfension, një nga bizneset e reja që është ngritur me fondet e nxitjes së punësimit dhënë nga MMSR. Duke marrë këtë shembull të një biznesi të suksesshëm, ministri Klosi deklaroi se janë ezauruar në masën 98 për qind fondet e nxitjes së punësimit, dhe këto biznese sot janë të gjitha në kërkim të punonjësve të rinj.
Ministri Klosi deklaroi se sfidon cilido përfaqësues të opozitës që flet sot për papunësi. “Gjetëm 153 mijë punëkërkues të papunë. Sot falë reformës së thellë, shndërrimit të zyrave të punës në zyrat e besimit të biznesit dhe qytetarëve, janë orientuar më shumë se 53 mijë qytetarë drejt tregut të punës”, deklaroi ministri Klosi, duke shtuar se sot janë 40 mijë vende të lira pune.
Ministri Klosi megjithatë kërkoi nga drejtorët rajonalë të punohet më shumë dhe më mirë për të qenë më pranë qytetarëve dhe për t’i afruar me tregun e punës.