Killua në një intervistë ekskluzive për Chaud Patate: Një rrëfim për veten, pasionin për muzikën dhe të shkruarit

Ndonëse një artist i ri në skenën e hip-hop-it shqiptar, Killua ka treguar që në publikimin e tij të parë potencialin për të sjelle një fryme origjinale dhe unike ndër vargun e gjatë të reperëve që kanë populluar muzikën moderne shqiptare kohët e fundit.

Tekstet që ai shkruan burojnë nga një deshirë për të nxitur një reagim tek publiku, si një fenomen “shkak-pasojë”, që ndoshta prej kohesh mungon në psikozen dhe reflektimin e publikut mbi muzikën realisht cilësore në vendin tonë.

Advertisement

“Djali nga mali”, siç e quan ai veten, ka patur me sa duket gjithmonë një dëshirë dhe pasion për librat, por edhe një talent të lindur për të shkruar mirë që në moshë të vogël. Imazhi që mbretëron në pothuajse të gjitha krijimet lidhur me hip-hop-in e ditëve të sotme, si vajzat me twerk-un e famshëm, makinat luksoze, parate e shumta e të lakmuara akoma më shumë, të gjitha këto nuk i interesojnë shumë këtij artisti të ri, i cili po përpiqet të sjellë pikërisht një ndryshim në botën sipërfaqesore të konsumit ku jetojmë sot.

Foto e shkëputur nga videoklipi “Llastice”

Kështu, në intervistën e tij te parë ekskluzive për “Chaud Patate” në radio ENERGY, mësuam plot gjëra nga Killua rreth projekteve të reja por edhe ato të realizuara me pare, si dhe për vetë botën e tij, pasionet, dëshirat dhe faktin se sa e rëndësishme është për të pikerisht muzika dhe jo imazhi!

Reperi prej disa kohësh është pjesë e një studioje muzikore, “Undefined Entertainment”, se bashku me disa artistë të tjerë të rinj po kaq të talentuar e premtues, siç janë Arnon, Jonisa, Gonxo, dhe Sardi, nga ku ky i fundit është edhe mik i mirë e njëkohësisht menaxher i kësaj sipërmarrjeje frymëzuese.

“Ndjenja Blu” ishte kënga e parë që Killua publikoi, diku para një viti e gjysmë, ndërsa përzjerja e blues me rap që artisti solli në këtë projekt ishte një risi e padëgjuar më parë, duke e bërë ate edhe më të veçantë, përpos tekstit dhe videoklipit të xhiruar mjaft thjesht dhe natyrshëm.

“Unë kam nisur të merrem me muziken vite më përpara, me disa miq të mi, ka qenë një ëndërr në një studio të vogël, shumë më ndryshe nga kjo ku punojme tani. Kishim vec një mikrofon te thjeshtë, dy bokse, disa flinin përtokë, disa nuk flinin fare”, tregon Killua për hapat e tij të parë në muzikë. “Nisi si një ëndërr, bëra dy-tre këngë, më pas u shkëputa për disa vite sepse doja të punoja vetëm, doja të njihja më mirë veten, se si jam në të shkruar.”

Por ishte pikerisht kenga e dyte, me titull “Llastice”, e cila do e zhvendoste në një tjetër nivel vëmendjeje nga publiku, por edhe njerëzit që ishin pjesë e prodhimit në industrinë muzikore. Vetë Killua pohoi në Chaud Patate se kanë patur në fakt oferta të ndryshme pas publikimit të “Llastice”, madje shumë prej tyre nga label-a të njohur muzikorë në vendin tonë, për t’u bërë pjesë e tyre, por djemtë (Killua dhe Arnon) nuk dëshirojnë të “shesin” veten si një tjetër produkt në tregun e muzikës moderne shqiptare. Ata janë të vendosur për të sjellë një ndryshim, dhe këtë duan të përpiqen ta bëjnë vetë, për sa kohë që do të munden.

Ndërsa në lidhje me nje nga vargjet me goditese te kenges “Llasticë”, qe thote: “Te varri jem Hip-Hopi ka me ba pelegrinazh”, reperi përgjigjet se është 100% i sigurt se realisht po sjell frymën për të cilën është krijuar [hip-hop me rap], duke dashur të bëjë realisht një revolucion në muzikën shqiptare, apo në konceptin mbi çka është në të vërtetë muzikë e mirë.

Një nga detajet më impresive dhe paksa edhe komike që vetë reperi tregon nga fëmijëria e tij është se, duke qenë i apasionuar pas librave dhe letërsisë dhe pasi kish nisur të shkruante shumë natyrshëm që në moshën 17-vjeçare, shume djem më të mëdhenj në moshë madje, i drejtoheshin atij që të thurte dhe krijonte mesazhe romantike për të dashurat e tyre.

Edhe pse zhanri i muzikës që ai ka sjellë deri tani për publikun është hip-hop-i, Killua në fakt tregon se thellë-thellë është një dëgjues i madh i jazz dhe i apasionuar pas blues dhe rock. “Hip-hopi është rryma që dëgjoj më pak”, pohon ai.

Reperi në fakt mund të njihet edhe me një emër tjetër, pasi tregon se në vetveten e tij ekzistojnë dy alter-ego, të cilat janë Killua dhe Sir-A. E ndërsa Killua rrëfen në njëfarë mënyre më shumë për veten dhe eksperienca personale, Sir-A është më shumë për të tjerët, pra këndon më shumë për situata sociale apo probleme të cilat shpeshherë mund të mos i shohim dot, megjithëse mjaft të prekshme.

Ai tregon gjithashtu se, megjithëse ka vendosur qëllimisht që të mbajë një profil sa më pak të “reklamueshëm”, për dëgjuesit e sinqertë të muzikës së tij, ai është gjithmonë i hapur dhe mikpritës, ndërsa vazhdimisht ata edhe i takojnë njerëzit që realisht i duan krijimet e tyre.

Çfarë mund të presim nga Killua në të ardhmen? Shumë. Madje ky është vetëm fillimi. Të gjithë talentet e rinj të studios ku reperi është i angazhuar, do të publikojnë njëri pas tjetrit këngë të reja brenda një periudhe të shkurtër, ndërkohë që edhe vetë Killua zbuloi në NRG Radio se shumë shpejt do të vijë me një projekt të ri për publikun, që do të jetë shumë më goditës, me qëllimin për të ngjallur akoma më teper reagim tek dëgjuesit e muzikës.

E siç pohon edhe vetë ai: “Ndryshimi nuk mund të vijë vetëm nga një person, por të paktën ne po përpiqemi të bëjmë një diferencë”.