Dua Lipa, prej kohës, është ambasadorja e markës YSL Beauty dhe imazhi i parfumit Libre.
Në sajë të një tjetër bashkëpunimi të suksesshëm mes markës dhe Duas, ajo ka dhënë një intervistë për ELLE, ku mes të tjerash ka folur edhe për sekretet e bukurisë dhe lëkurës së saj perfekte, vajzat e Kosovës dhe lirinë.
Dua tregoi se ka ca “rregulla të reja” për lëkurën e saj. “Përfundova turneun botëror në fund të vitit të kaluar dhe gjatë kësaj kohe, u përpoqa që ta mbaja fytyrën sa më të freskët. Është gjithnjë ide e mirë që ta lësh fytyrën të bëjë një pushim”, tha ajo.
Pra, leksioni i parë: Fytyra meriton një pushim!
Dua tregoi edhe se cilat janë produktet që mban gjithnjë me vete kur udhëton dhe ato janë: SPF, hidratant për fytyrën dhe duart. Një maskë për fytyrën kur udhëton dhe rimel kundër ujit.
Leksioni i dytë: Hidratim dhe mbrojtje nga dielli!
Një tjetër pyetje nga Elle ishte: “Dua, ti je rritur në Kosovë. A ka ndonjë trend bukurie që e ke marrë me vete dhe e përdor edhe sot?”. Kësaj pyetjeje, Dua u përgjigj: “Jo domosdoshmërisht ka një trend bukurie, por mendoj se çka i fuqizon gratë e Kosovës është vetëbesimi i tyre”.
Shkurt e qartë: Vetëbesimi është çelësi!
Duke qenë se ‘Libre’ do të thotë ‘liri’, Dua tha se është gjithnjë e hapur për sfida të reja dhe qëndron gjithnjë autentike. Besojmë se e kuptove se ky ishte mësimi i katërt.
Këto leksione nga Dua vendosi vath në vesh, që të kesh sukses në të ardhmen.