Këshilli i Mandateve shtyn për të hënën vendimin ndaj dy deputetëve

Foto Arkiv

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në Kuvendin e Shqipërisë vendosi shtyrjen e dhënies së vendimit për heqjen e mandatit të deputetit, ndaj Tom Doshit dhe Mark Frrokut, për ditën e hënë në orën 10.00.
Deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi bëri të ditur për mediat, pas përfundimit të mbledhjes së Këshllit të Rregullores dhe Mandateve në Kuvendin e Shqipërisë se, vendimi për heqjen e mandatit të deputetit për Tom Doshin dhe Mark Frrokun është shtyrë për ditën e hënë.
Halimi tha se në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Rregullores do të shqyrtohet edhe kërkesa e Partisë Demokratike për heqjen e mandatit të deputetit socialist, Koço Kokëdhima. Halimi tha se, kërkesa e Doshit për shtyrjen e vendimit u pranua nga Partia Socialiste, ndërsa ritheksoi qëndrimin e Partisë Demokratike pro heqjes së mandatit për dy deputetët.
Pas qëndrimit për rreth një orë në mbledhjen e Këshillit të Rregullores dhe Mandateve, deputeti Tom Doshi doli nga selia e Kryesisë së Kuvendit, ndërsa deklaroi për mediat se akuzat e ngritura nga Prokuroria nuk qëndrojnë.
Ai deklaroi se ka kërkuar shtyrjen e mbledhjes për t’u njohur me materialet e paraqitura nga Prokuroria kundër tij. “Nuk kam bërë kallëzim dhe s’ka si të ketë kallëzim të rremë. Ishte Prokuroria e Krimeve të Rënda ajo që nisi hetimet. Nuk kam kanosur njeri”, deklaroi Doshi.
Një arrestim të mundshëm të tij, Doshi e ka cilësuar si politik. Ai bëri të ditur se, e kishte vënë Prokurorin e Përgjithshëm në dijeni që në datën 5 shtator të vitit 2014, dhe sipas Doshit, Prokurori i Përgjithshëm nuk kishte bërë asgjë. “Po të mos bëhej kështu Prokurori i Përgjithshëm duhet të largohej”, deklaroi Doshi.
Lidhur me atë që kishte deklaruar në mbledhjen e Këshillit të Rregullores dhe Mandateve, Doshi u shpreh se “bëra propozimet e mia, në bazë të rregullores së Kuvendit”.
Më herët, rreth orës 17.54 la kryesinë e Kuvendit edhe deputeti tjetër Mark Frroku, por ai nuk pranoi të prononcohej për median.
Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin sipas rregullores drejtohet nga kreu i Kuvendit Ilir Meta, por duke qenë se Meta është i akuzuar nga deputeti Doshi, kreu i Kuvendit është tërhequr nga drejtimi dhe mbledhja u kryesua nga nënkryetari i Kuvendit, Vangjel Dule.
Pasi të dëgjojë raportin e prokurorit të çështjes, Këshilli pritet të dalë me një përfundim, nëse do të paraqitet në seancë plenare për votim kërkesa për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e deputetëve, Doshi e Frroku.
Dy deputetët janë të dyshuar për konsumimin e elementëve të veprave penale “Kallëzim i rremë”, “Kanosje për deklarata apo dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë”, dhe “Deklarata të rreme përpara prokurorit”.
Deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi deklaroi pak minuta para fillimit të Mbledhjes së Këshillit se, Partia Demokratike ka qenë gjithmonë në favor të kërkesave të Prokurorisë për çdo anëtar të Kuvendit, në mënyrë që ata të shkojnë para drejtësisë si qytetarë të këtij vendi.
Ai rikujtoi se Partia Demokratike, 3 vite më parë ka kërkuar një ndryshim kushtetues, sipas të cilit çdo deputet të kishte të njëjtin standard për t’u gjykuar si çdo qytetar, por kjo kërkesë, tha Halimi, nuk u pranua nga Partia Socialiste. Ndërkohë, Halimi ripërsëriti kërkesën e Partisë Demokratike për largimin e kreut të Kuvendit, Ilir Meta nga posti që mban. Një hetim i tillë nuk mund të jetë i besueshëm, nënvizoi Halimi, për sa kohë numri dy i shtetit mban postin. “Ai duhet të shkojë para drejtësisë si çdo qytetar i këtij vendi”, deklaroi Halimi.

Advertisement