Kavajë | Arrestohet kryetari i Bashkisë, kërcënoi dhe goditi trajnerin e Tiranës

Në ndeshjen e zhvilluar në Kavajë mes Besës vendase dhe Tiranës, në kuadër të javës 18-të të Superligës, është shënuar një akt i rëndë kur në pushimin mes pjesëve të lojës kryetari i bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi, ka zbritur në dhomat e zhveshjeve dhe ka goditur trajnerin e Tiranës, Nevil Dede. I menjëhershëm ka qenë reagimi i klubit bardhë e blu dhe vetë trajnerit Nevil Dede, të cilët kanë bërë kallzim penal për të dyshuarin. Pas kallzmit nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë u mor masa e arrestit ndaj Kryetarit të Bashkisë Kavajë shtetasit Elvis Rroshi, 38 vjeç, për konsumimin e veprave penale “Goditjes për shkak të detyrës”, “Kundërshtim të punonjësve të policisë” dhe “Mos bindje ndaj urdhërit të punonjësve të policisë”. Konflikti, sqaron policia, ka ndodhur gjatë zhvillimit të ndeshjes së super ligës Besa -Tirana, ku shtetasi Elvi Rroshi dyshohet se ka qëlluar trajnierin e Tiranës shtetasin Nevil Dede, duke e kërcënuar këtë të fundit me jetën. Shtetasi Nevil Dede, ka depozituar pranë komisariatit të policisë Kavajë, një kallzim penal në ngarkim të shtetasit Elvis Rroshi. Ndërkohe në lidhje me këtë konflikt i cili ka nisur gjatë përfundimit të pjesës së parë, janë arrestuar në kushtet e flagrancës edhe 7 shtetas për konsumim të veprave penale të “Grumbullimit të paligjshëm”, “Mos bindje ndaj punonjësve të policise”, “Kundërshtim të punonjësve të policisë”. Të arresturit e tjerë mësohet të jenë, Abdulla Mersin Tafa, 47 vjeç, banues në Kavajë, Astrit Vesel Veliu, 40 vjeç, me detyrë shofer pranë Bashkisë Kavajë, Osman Isuf Tabaku, 56 vjec, Kryeplak, Gazmend Nevruz Demrozi, 38 vjeç, me detyrë Drejtor i Policisë Bashkiake, pranë Bashkisë Kavajë, Shkelqim Abdurraman Nasufi, 28 vjec, punonjes bashkie, Erjald Sokrat Kostrica 31 vjec, me detyre elektricist ne Bashki Kavaje, si dhe Ruzhdi Fejko Aliu, 47 vjec, banues në Kavajë.

Advertisement