Kryeministri Sali Berisa theksoi sot, gjatë mitingut përmbyllës të Partisë Demokratike në Kamëz se, do të bëhet gjithçka për urbanizimin e Kamzës. “Më 23 qershor qytetarët e Kamzës firmosin për mandatin e mirëqenies së tyre më të madhe, në të cilin ne do të rrisim rrogat më shumë se kurrë më parë, do të rrisim ndihmën ekonomike 15%, do të rrisim pensionet minimale në 150 dollarë. Me fitoren e 23 qershorit, së bashku ecim drejt punësimit masiv të qytetarëve, të krijimit të vendeve të reja të punës”, tha Berisha. Sipas kreut të qeverisë, “Kamza industriale dhe Kamza qëndër e fuqishme e prodhimit industrial është dhe mbetet projekti kryesor. Dy parqe industriale me 30 mijë vende pune do të përfundojnë së shpejti dhe ju do të punësoheni në këto dy parqe”. Kryeministri u zotua se, “4 vitet që vijnë Kamza do të ketë Universitetin e saj. Universitetin e dytë të saj”. “Me fitoren në 23 qershor, ne vijojmë rrugën drejt integrimit në BE, për të marrë statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave, për të marrë qindra milionë euro subvencione”, tha Berisha. Kryeministri u shpreh se, “këto kanë qenë vitet e zhvillimit më të madh të Kamzës. Vite në të cilat u shtruan rreth 100 km rrugë, u ndërtuan shkolla, ujësjellësa dhe u vendos rrjeti energjitik i përshtatshëm”. Duke folur për kreun e PS-së, Edi Rama, Kryeministri Berisha u bëri thirrje qytetarëve të Kamzës se, “mos lejoni veten të mashtroheni nga një njeri, i cili do të mbetet në memorien e politikës, së pari si gënjeshtar i lindur, si njeriu që gënjen në çdo gjë. Së dyti, si njeriu që në çdo tribun, është i detyruar të betohet se nuk do të tradhëtojë kurrë, pasi është simboli i pabesisë më të madhe njerëzore mbi çdo gjë”. Erdhi këtu, vijoi Kryeministri Berisha, “dhe kishte veshur lëkurën e qingjit. Kishte marrë për dëshmitar, një profesionist të dëshmisë së rreme dhe u tha se shtëpitë do t’ua legalizojë falas. Këtë e bëri që nesër t’u thotë unë e bëj, po s’më lënë gjykatat. Erdhi këtu dhe u betua se nuk ju kam thënë kurrë çeçen, shpellar. Harroi këtu se deri dje ju thoshte se ju jeni shpellarë që vini nga shpella e Saliut. Ua them këtu që ju jeni krenaria ime. Të besosh defteret e Edi Ramës dhe Pjerin Ndreut, është si të besosh defteret e Don Kishotit dhe Sanço Pançës. 11 vjet kryetar bashkie nuk pati zemër të bënte qoftë dhe aktin më minimal njerëzor ndaj jush që erdhët këtu dhe ngritët një qytet madhështor”.