Kamerat në uniformën e policisë, Rama: Shmangen abuzimet

Kryeministri Edi Rama, e cilësoi të martën një revolucion teknologjik, përdorimin e kamerave në uniformën e policisë.

Kryeministri Rama ishte i pranishëm në aktivitetin e organizuar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku u prezantua projekti për kamerat në uniformën e Policisë së Shtetit.

Advertisement

Ai tha se këto kamera garantojnë edhe policinë edhe qytetarin nga abuzimet. Kreu i ekzekutivit vuri në dukje se këto kamera ofrojnë një mbrojtje spektakolare për këdo dhe në çdo orë të ditës apo natës.

“Po punohet intensivisht për një transformim epokal të Policisë së Shtetit dhe shfrytëzimi i teknologjisë së lartë për të transformuar marrëdhënien e policisë me qytetarin është një pjesë e këtij transformimi”, tha Rama në fjalën e tij.

Kryeministri u shpreh se “qeveria e tij është qeveri e fjalës së mbajtur, duke kujtuar këtu se premtimi për kamerat është bërë vetëm pak muaj më parë”. “Pak muaj më parë, në një tjetër aktivitet, që ishte pjesë e këtij programi mbi zhvillimin teknologjik për Policinë e Shtetit, ne u angazhuam se efektivët në terren do të pajisen me kamerat e trupit, duke i bërë të monitorueshëm gjatë detyrës së tyre. Do të monitorohet vendndodhja, lëvizja, komunikimi me qytetarët, reagimi apo sjellje që bien ndesh me ligjin. Ja ku jemi sot, disa muaj më pas për ta hedhur këtë projekt në terren”, tha ai.

Sipas Ramës, “ky është vetëm një aspekt i programit tonë ambicioz në transformimin e Policisë së Shtetit”. “Angazhimi ynë është i pandalshëm dhe i përditshëm”, garantoi Rama.

Kreu i Ekzekutivit tha se, “ky projekt i jep mundësi policisë shqiptare të pësojë një kapërcim epokal, duke rritur cilësinë e marrëdhënies mes efektivëve të rendit dhe qytetarëve, duke rritur ndjeshëm cilësinë në luftën ndaj abuzimit me ligjin, korrupsionit me detyrën..etj”.

“Ky program pra, programi i revolucionit teknologjik është mundësi e mirë për transparencë të plotë në të gjithë veprimtarinë e forcave tona të rendit. Transparenca i jep mundësi drejtuesve, punonjësve, qytetarëve, komuniteteve, partnerëve të lexojnë çdo aspekt të kësaj veprimtarie dhe ballafaqon Policinë e Shtetit me mundësinë, që çdo ditë të realizojë ambicien e madhe për të qenë një polici që nuk ka dallim me policitë e Bashkimit Europian”, tha Kryeministri Rama.

Ai shtoi se, ky projekt gjithashtu i jep formë dy aspekteve të rëndësishme, pasi parandalon edhe policinë edhe qytetarin të abuzojnë me pozicionet e tyre. “Kjo kamerë jep efiçencën maksimale të përdorimit të të ardhurave nga taksat e qytetarëve për policinë e shtetit. Dhe nga krahu tjetër një mbrojtje spektakolare për këdo”, nënvizoi Rama.

Duke larguar fokusin e fjalës së tij nga projekti i kamerave, tek misioni i Policisë së Shtetit, kreu i qeverisë tha se “Ministri i Brendshëm dhe ekipi i tij janë fokusuar që në ditën e parë të punës së tyre në transformimin e policisë, duke zhvilluar një betejë të pashembullt me analfabetizmin dhe moshën e madhe të efektivëve të policisë.

“Një nga aspektet ku Ministri i Brendshëm dhe ekipi i tij janë fokusuar që në ditën e parë, ka qenë beteja me anafalbetizmin apo gjysëm analfabetizmin në sjellje apo në artikulim, si rezultat i degradimit të rolit, funksionit apo nivelit të efektivëve të policisë, trashëguam një polici të paedukuar me nivelin më të lartë të moshës, me nivelin më të lartë të analfabetizmit funksional dhe me një numër shumë më të vogël sesa policitë në rajon apo BE”, vijoi Rama.

Dhe vendosja e standardeve të reja, sipas tij, është lehtë të thuhet e shkruhet, por shumë vështirë që të zbatohet. “Kjo është edhe arsyeja, që sot duke parë edhe këtë grup që kemi përpara, shohim që nuk është një grup fotomodelesh, por një përfaqësi e një policie shteti, që po ndryshon në moshë, ekuilibrat gjinor e në sjellje”, tha kryeministri Rama, duke shtuar se pas çdo reforme ka një sërë planesh, studimesh dhe analizash, por çka është më e rëndësishme vullnet për ta realizuar objektivin.