Xhafa ka thënë se nuk ishte ndjerë mirë që atë mëngjes, edhe pse nuk ka sqaruar nëse ka vënë në dijeni apo jo punëmarrësit e tij, përpara se të nisej e të shkonte në punë.
Agron Xhafa, shoferi 63-vjeçar që drejtonte autobusin e Unazës të hënën e aksidentit që për fat të mirë nuk përfundoi në tragjedi, ka deklaruar se situata që i ka ndodhur e ka gjetur të papërgatitur.
Në dëshminë e tij në Polici, pas aksidentit, Xhafa ka thënë se nuk ishte ndjerë mirë që atë mëngjes, edhe pse nuk ka sqaruar nëse ka vënë në dijeni apo jo punëmarrësit e tij, përpara se të nisej e të shkonte në punë.
“Kam mbi 20 vjet drejtues autobusi. Asnjëherë nuk më ka ndodhur një situatë e tillë në timon. Nuk jam ndjerë mirë që në mëngjes!”,-mësohet të jetë shprehur Xhafa, i cili në momentin që ndodhi aksidenti nuk ishte i ndërgjegjshëm dhe refuzoi për minuta me radhë të dilte nga urbani.
Aksidenti i rëndë ndodhi paraditen e të hënës, ku autobusi i linjës së “Unazës” në kryeqytet u përplas me 10 makina në zonën e njohur si “Kryqëzimi i Shallvareve” në Tiranë. Për pasojë, 10 persona morën lëndime dhe u transportuan në spital, por me dëmtime të lehta. Në spital shkoi edhe shoferi, që deklaroi se vuante nga zemra dhe diabeti. Tashmë ai do ti nënshtrohet edhe njëherë të gjitha analizave mjekësore për të parë nëse vuan nga sëmundje kronike. Ai është arrestuar nga Policia dhe pret të njihet me masën e sigurisë.