Justin dhe Hailey Bieber do të hedhin në gjyq kirurgun plastik që publikoi fotot “para dhe pas”

Këngëtari Justin Bieber dhe partnerja e tij, Hailey, janë gati për të hedhur në gjyq një kirurg plastik në Beverly Hill, i cili tha në një video TikTok-u se modelja ka bërë ndërhyrje estetike. Në një letër të siguruar nga “E!News”, avokatët e Justin dhe Hailey akuzojnë doktor Daniel Berret se ka përdorur emrin, imazhin dhe famën e modeles, për qëllime komerciale të praktikës së tij. Duke bërë pretendimin e rremë dhe të gabuar se zonja Bieber ka bërë ndërhyrje në fytyrën e saj. Gjithashtu ai po akuzohet për përdorimin e këngës “Sorry” nga Justin në videon e tij, pa pasur të drejtën e autorit.

Në videon e TikTok Dr.Barret tregon dy foto të Hailey-t, njëra e bëra para disa vitesh dhe tjetra tani së afërmi. Ai thotë se ndryshimet që ka pasur nuk janë si pasojë e rritjes, pubertetit apo efekteve në foto. Sidomos ato në hundë. Sipas tij këto ndryshime nuk mund të ndodhin pa ndihmën e dikujt si ai, pra e një doktori plastik. Për të Hailey ka bërë ndërhyrje në lëkurë, mjekër, faqe, hundë dhe buzë.

Advertisement

Letra që i kanë dërguar avokatët doktorit me të gjithë shkeljet që ka bërë sipas tyre, kërkon që ai ose të heqë postimin për modelen dhe të bëjë një deklaratë publike ku i mohon pretendimet ose çështja do të zgjidhet nga palë të treta. Që në këtë pikë është gjykata.

Kirurgu gjithsesi deri më tani nuk e ka hequr videon. Ai është shprehur se qëllimi i llogarisë së tij në TikTok është që të edukojë njerëzit për ndërhyrjet plastike. Nuk ka pasur si qëllim të ofendojë Hailey-n në asnjë mënyrë, por të ndajë mendimin e tij për proçedurat që mendon se ajo ka bërë. Duke u bazuar vetëm në foto. Për shkak të kërkesave që ka marrë nga qindra mijëra ndjekësit e tij.

Më herët Hailey i ka mohur pretendimet se ka bërë ndërhyrje në fytyrë. Për fotot që qarkullojnë në internet, ajo thotë se është bërë një krahasim jo i drejtë i fotove të viteve më parë, me fotot e tanishme ku është grimuar apo me efekt.

Burimi: News31.al