Aktorja Egla Ceno foli për Gazetën Intervista dhe mes të tjerash tregoi se dy prej roleve në telenovelën e parë shqiptare, “Njerëz dhe fate” janë bazuar në histori personale të sajat.
Ishte pikërisht roli i babait interpretuar nga Robert Ndrenika që është frymëzuar nga i ati i Cenos, i cili vdiq kur ajo ishte adoleshente dhe roli i Erës, që ishte ajo vetë.
“Kur isha studente në Akademinë e Arteve, viti i fundit, bëja tre punë njëkohësisht nëpër televizione si regjisore dhe asistent regjisore. Rastësisht u gjenda në mes të një ngjarjeje le të themi sepse për artin tonë ishte ngjarje. Po realizohej telenovela e parë shqiptare që më vonë publiku e njohu me emrin ‘Njerëz dhe fate’. M’u propozua, por nuk kishte akoma një ide si do të ishte. Mora laps e letër dhe nisa të shkruaj. U nisa nga historia ime personale. Krijova të parin personazhin e babait tim i cili ka qenë kinooperator dhe vdiq në moshën 48-vjeçare kur unë isha ende adoleshente. Isha shumë e lidhur me të dhe doja në një fare mënyrë që ai të vazhdonte të jetonte”, ka thënë aktorja.
Kurse lidhur me personazhin e Erës interpretuar nga Eni Jani, artisjta është shpprehur: “Krijova babain dhe vajzën që në telenovelë u quajt Era. Doja të materializoja marrëdhënien me tim atë. Ngjarjet më larguan nga Tirana drejt Gjermanisë për studime dhe e braktisa atë projekt. U lumturova shumë kur mora vesh që personazhi i babait tim kishte ngelur dhe akoma më shumë që rolin e luante Robert Ndrenika. Gjithashtu dhe për Erën. Eni është një mike e veçantë prë mua edhe sot e kësaj dite dhe nuk do të kishte zgjedhje më të mirë për rolin e vajzës që kisha skicuar për vete. Sigurisht që do të doja ta kisha çuar deri në fund, por nuk ishte e thënë.”