Si pasojë e një sëmundjeje të rëndë, ditën e sotme është ndarë nga jeta ish-drejtori i Galerisë së Arteve dhe kritiku i famshëm i artit shqiptar, Gëzim Qendro.

Lajmin e ka njoftuar përmes një postimi në Facebook, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.

Advertisement

Kjo e fundit shkruan se vendosi të largohet prej nesh shumë para kohe, një nga më të mirët, më profesionistët e më të mençurit e Artit dhe të Mendjes, drejtori që bëri kthesën në Galerinë Kombëtare të Arteve, Gëzim Qendro.

“Trishtim i madh!
Vendosi të largohet sot prej nesh, pas një sëmundjeje të rëndë dhe shume para kohe, një nga më të mirët, më profesionistët e më të mençurit e Artit dhe të Mendjes, kritiku dhe historiani i estetikës dhe artit, drejtori që bëri kthesën në Galerinë Kombëtare të Arteve, Gëzim Qendro.
Le vepra shumë të mira mik!
Por edhe na le një boshllëk të madh njerëzor e miqsor siç vetëm fisnikët munden.
Je i pazëvendësueshëm!
Lamtumirë!”-ka shkruar e prekur ministrja.

Ndërkaq, homazhet për nder të Gëzim Qendros do të mbahen nesër në orën 10:00 deri në 11:00 në GKA.

Edhe Rama përmes një mesazhi në faqen e tij të Facebook-ut ka shprehur ngushëllimet dhe trishtimin e tij për humbjen e Qendros.

Kreu i qeverisë thekson se kritiku i artit la pas kujtimin e bukur të kulturës e të fisnikërisë së tij të posaçme.

“Hidhërim për ndarjen nga jeta të Gëzim Qendros, një mik i mirë, fjalëpakë e punëshumë, studiues i zoti i artit e njeri i rrallë, që nuk i’a doli dot mbi sëmundjen e rëndë, por la pas kujtimin e bukur të kulturës e të fisnikërisë së tij të posaçme.”, shkruan kryeministri.