Pak orë pas ngjarjes së rëndë në Korçë, që tronditi gjithë vendin, ku vdiqën 2 fëmijë, 4 dhe 6 vjeç, të mbytur nga babai i tyre, i cili vari më pas veten, janë zbuluar hipotezat e para të këtij krimi makabër.

Lindita Golka, motra e 41-vjeçarit Naum Toshi, i cili kreu krimin horror, ka bërë me dije për gazetën “Panorama” se fëmija 6-vjeçar nuk është i Toshit, por i bashkëshortes së tij nga një marrëdhënie të mëparshme, ndërkohë që vetëm fëmija 4 vjeç është fryt e marrëdhënies së tyre.

Advertisement

Golka tha se bashkëshortja e Toshit ishte larguar dy muaj më parë nga shtëpia, pasi çifti kishte rreth 6 muaj që ishte kthyer nga emigracioni në Greqi.

Dyshimet e para të arsyeve të krimit janë inatet mes çiftit dhe fakti se Toshi nuk e ka kapërdirë dot faktin që bashkëshortja është larguar nga shtëpia dhe si kundërveprim ndaj saj ka kryer këtë akt të rëndë.

Pas këtij akti, nga tronditja e madhe e pësuar, dyshohet se ka kryer edhe vetëvarjen në banesën e tij, ku i gjeti babai i Toshit.

Gjithsesi, pritet ekspertiza e mëtejshme dhe marrja në pyetje e familjarëve dhe bashkëshortes së autorit të krimit për të kuptuar më tepër nga rrethanat dhe shkaqet që çuan  në këtë makabritet.

(Në foto, Lindita Golka, motra e autorit të krimit)