Gjermania, Franca, Italia dhe Spanja i janë shtuar në listës së vendeve të cilat kanë pezulluar shpërndarjen dhe injektimin e vaksinës anti-Covid të Oxford-AstraZeneca.
Ministri gjerman i shëndetësisë Jens Spahn tha ditën e djeshme se vendi do të ndërpresë injektimin e vaksinës si një masë paraprake, pas raportimit të rasteve të mpiksjeve të gjakut si një efekt anësor i saj. Franca Italia dhe Spanja gjithashtu ndaluan shpërndarjen e kësaj vaksine, në pritje të hetimit dhe rishikimit nga rregullatori i barnave të BE-së, Agjencia Evropiane e Barnave (EMA).
“Ne kemi vendosur të pezullojmë përdorimin e AstraZeneca si një masë paraprake dhe shpresojmë ta rifillojmë atë shpejt nëse këshillat e EMA e lejojnë atë,” – u shpreh Presidenti francez Emmanuel Macron të hënën në një konferencë për shtyp, duke shtuar: “EMA do të japë vlerësimin e saj nesër pasdite mbi përdorimin e kësaj vaksine.”
Agjencia italiane e ilaçeve pezulloi gjithashtu përdorimin e vaksinës AstraZeneca, pasi një burrë i cili kishte marrë dozën e parë të vaksinës ndërroi jetë. Pjesa më e madhe e Evropës tashmë ka ndaluar injektimin e saj, përfshirë këtu vende si Danimarka, Rumania, Bullgaria, Irlanda, Estonia dhe së fundmi Holanda.
Në fakt ky vendim shkon kundër këshillës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), EMA dhe vetë gjigandit farmaceutik AstraZeneca, të cilët kanë thënë se nuk ka prova të një lidhjeje mes injektimit të vaskinës me mpiksjen së gjakut dhe rasteve të pacientëve të cilët kanë ndërruar jetë.