Itali, vritet një 22-vjeçar shqiptar. Dyshohet për larje hesapesh

Një e shtënë pistolete në qafë dhe ndërron jetë brenda pak sekondash. Ky ka qenë fundi fatal i një 22-vjeçari shqiptar që ndodhej në Sinalunga të Sienës, në Itali, i ftuar në shtëpinë e miqve të tij për darkë.

I riu thuhet të ketë qenë banues në një komunë të Provincës së Firences, por mbeti viktimë rreth mesnatës mes të mërkurës dhe të enjtes.

Advertisement

Ndërhyrja e karabinierëve ka bërë që të bien në gjurmët e një personi 34-vjeçar, një pastor sard që jeton në Foiano, Arezzo, i cili disa qindra metra larg vendit të krimit ishte kapur i plagosur dhe në gjendje të dehur, raporton Top Channel.

Nga raportimet paraprake mësohet se arma e krimit nuk është gjetur, por agresori i është nënshtruar kontrolleve nëse ka përdorur së fundi një armë zjarri.

Edhe pse motivet e kësaj vrasjeje mbeten ende për t’u përcaktuar, dyshohet se ekzekutimi ka ardhur për larje hesapesh. Nga rindërtimi i ngjarjes, mësohet se i riu ishte thirrur të zbriste nga banesa ku ishte ftuar për darkë, e përpara derës së shtëpisë është qëlluar për vdekje.