Kryeparlamentari Ilir Meta ka shkruar një letër prekëse që ia ka drejtuar familjes së publicistit që ndërroi jetë tri ditë më parë, Andrea Stefanit.

Më poshtë mund të lexoni letrën e plotë të tij:

Advertisement

E dashur Enkelejda,
Të dashur Daniel e Stefani,

Kam provuar trishtim, dëshpërim dhe një dhembje të pafund kur mësova lajmin e hidhur e të pabesueshëm për Andrean. E dija që kishte muaj që kishte nisur një betejë të fortë, të madhe, të rëndësishme, por isha i bindur se ajo nuk do të ishte beteja e fundit e këtij luftëtari të paepur.

Isha i bindur se Andrea do të triumfonte në këtë betejë vetjake që nuk e bënte thjesht dhe vetëm për veten e tij, por e bënte edhe për Ju, familjarë e të afërm të tij, e bënte edhe për ne, të njohurit e tij të shumtë, edhe për gjithë atë armatë të madhe lexuesish dhe shikuesish shqiptarë, të cilët e lexonin dhe e shikonin botën tonë të vogël, edhe nëpërmjet fjalës së tij të lirë.

Isha i bindur sepse Andrea, për aq sa e kam njohur, në të gjitha betejat publike me fjalë që ai kishte hyrë dhe i kishte luftuar, asnjëherë nuk nisej nga interesi i tij vetjak, por vinte përpara një interes shumë më të madh të të gjithë shoqërisë. Ashtu siç e shihte ai vetë. Ashtu siç besonte ai vetë, si një shpirt i shqetësuar për lirinë dhe që kurrë nuk bëri kompromis për të vërtetat e tij.

Andrea është nga ata njerëz të rrallë për të cilët nuk pritet asnjëherë ikja për të kuptuar sesa e rëndësishme ka qenë prania e tyre. Andrea ishte i pazëvendësueshëm si mik dhe i respektueshëm si kundërshtar. Kush e ka njohur në këto dy anë të shfaqjes së tij publike, ndoshta ka pasur fatit të njohë edhe lirinë e tij që ai e vuri pa hezitim në shërbim të publikut.

Pjesë e një grupi të vogël gazetarësh të fillimviteve 90-të, në kohën kur Shqipëria po ndryshonte me shpejtësi, Andrea është githashtu pjesë e portretit të shqetësuar e të gjithë shoqërisë shqiptare. Me shumë dilema, me shumë vështirësi, më rrëzime dhe ngritje, por dhe me besimin e pandryshueshëm se vetëm liria dhe ndeshja për lirinë, do të sillte të nesërmen më të mirë për të gjithë shoqërinë.

Dhe Andrea ka qenë luftëtar i lirisë dhe lirisë së fjalës që e kultivoi si pakkush. Secili nga ne i ka një borxh mirënjohjeje Andrea Stefanit! Ikja e tij ka lënë një dhembje të madhe për familjarët e tij, për bashkëshorten Enkelejda dhe dy fëmijët Daniel dhe Stefani dhe një boshllëk të madh për gjithë shqiptarët, të cilët nuk qenë kurrë indiferentë ndaj fjalës së tij, pavarësisht se e donin apo e kundërshtonin atë.

Unë bashkoj sot me të gjithë Ju, dhembjen time dhe ju shpreh gjithë trishtimin tim për humbjen e këtij njeriu të veçantë, kalorës fisnik dhe luftëtar të madh të fjalës.

Sinqerisht,

Ilir MET