Të gjithë e dinë se sa e tmerrshme është të jesh i stresuar në punë. Për fat të keq, në të gjithë botën, punonjësit po bien pre e kërkesave në rritje të punës, dhe për pasojë, stresi në punë shtohet.
Ndërkohë që përpiqemi të kuptojmë thelbin e problemit, shpesh përfundojmë që ia hedhim fajin shefit tonë. Por a është vërtet e drejtë kjo? Studimi ynë i ri, i publikuar në The Leadership Quarterly, tregon se marrëdhënia me shefin ndikon në mënyrën se si reagoni ndaj stresit.
Le ta nisim nga thelbi. Stresi nuk është gjithnjë diçka e keqe. Studimet tregojnë se kur njerëzit ndiejnë se kanë burime të mjaftueshme psikologjike për të përmbushur kërkesat – si për shembull vetëbesimi i lartë – stresi mund të jetë i dobishëm. Psikologët e quajnë këtë gjë si “gjendje sfiduese”. Nga ana tjetër, kur njerëzit ndiejnë se nuk kanë burime të mjaftueshme psikologjike, stresi mund të ndikojë negativisht. Kjo është “gjendje kërcënuese”.
Pra nuk është kaq e thjeshtë, pak stres është diçka e mirë dhe shumë stres është diçka e keqe. Studimi ynë shpjegon nëse individët e përjetojnë stresin si një sfidë (e dobishme) apo një kërcënim (i padobishëm) – pavarësisht nivelit të stresit. Kjo është vërtet e rëndësishme, pasi mënyra se si reagojmë ndaj sfidave lidhen me një gjendje shëndetësore dhe ecuri më të mirë, ndërsa reagimi ndaj kërcënimeve lidhet me një gjendje shëndetësore jo të mirë dhe ecuri të ulët. Trupi ynë reagon ndryshe në një sfidë apo në një gjendje kërcënuese. Në një sfidë, përgjigjet psikologjike janë më efikase – për shembull rritet qarkullimi i gjakut në tru dhe në gjithë trupin.
Ndryshimet fizike mes gjendjes së sfidës dhe kërcënimit na lejojnë të masim në mënyrë objektive kur dikush ndihet i sfiduar apo i kërcënuar në një element të veçantë. Kjo mund të bëhet duke monitoruar përgjigjet kardiovaskulare si për shembull presioni i gjakut. Në studimin tonë të ri, bëmë pikërisht këtë gjë për të kuptuar nëse lidhja psikologjike me një lider ndikoi në mënyrën se si njerëzit u përballën me stresin.
Leadership dhe stresi
Ideja e një lidhje psikologjike me një lider mund të duket e çuditshme. Sigurisht leadership ka të bëjë me tiparet dhe cilësitë e një “shefi”. Por njëkohësisht, mendimi për leadership, thotë jo. Në thelbin e tij, leadership është një aktivitet kolektiv që përfshin marrëdhënien e ndjekësve me një grup apo organizatë dhe liderin e tyre. Nëse ndieni një lidhje të fortë me drejtuesin tuaj, ka më shumë mundësi që ju të angazhoheni më shumë në punën tuaj, të bëni përpjekje më të mëdha dhe të keni një marrëdhënie pune më të mira. Flitet për më pak “unë” të liderit dhe më shumë “ne” të një grupi.
Por si të kuptoni që keni një lidhje të fortë apo të dobët me shefin tuaj? Në fund të fund, është më e mundur që ju të ndieni një lidhje më të fortë psikologjike nëse mendoni se lideri juaj përfaqëson interesat e grupit (më shumë se sa të tijat), zhvillon vlerat dhe qëllime të përbashkëta dhe nxit ndjesinë e të qenët bashkë në kompani.
Ne patëm një ndjesi që mund të ketë përfitime nga stresi që vjen nga një lidhje e fortë psikologjike me një lider përpara një detyre. Në studimin tonë, 83 pjesëmarrës iu nënshtruan një prej këtyre tre kushteve eksperimentale: lidhje e fortë, e dobët dhe neutrale psikologjikes mes një lideri dhe ndjekësi. Pjesëmarrësit ishin të gjithë studentë universitarë dhe iu tha që detyra – një konkurs mes universitetit të pjesëmarrësve dhe një universiteti lokal dhe rival ishte e vërtetë. Ne zgjodhëm një individ që të vepronte si një lider. Në një rast, ai ishte profesori nga i njëjti universitet (lidhje e fortë), në rastin tjetër, një profesor nga universiteti rival (lidhje e dobët). Ne po ashtu i thamë atij të vepronte pa ndonjë përkatësi specifike.
Ne zbuluam, nëpërmjet një pyetësori, që lidhja e fortë me një lider, krijonte një gjendje sfiduese. Pjesëmarrësit ndiheshin më të sigurt. Ata po ashtu ishin më të mobilizuar për të bërë përpjekje dhe e kryen më mirë një detyrë nën presion.
Ndërsa personat që ndiheshin më pak të lidhur me drejtuesin e tyre përjetonin një gjendje kërcënuese – ecuri e keqe dhe gjendje jo e mirë shëndetësore.
Drejtuesit zgjidhen për të krijuar lidhje të forta psikologjike me personelin e tyre. Ata duhet të krijojnë vlera dhe një vizion të përbashkët. Në këtë mënyrë, shefi mund të shihet si “njëri prej nesh” dhe mund të ndihmojë në menaxhimin e stresit të punonjësve.
Ata që si ne nuk janë lider, duhet të dinë se të ndiheni të stresuar nuk lidhet me sa “të fortë” jemi – edhe faktorët që lidhen me marrëdhëniet sociale – luajnë një rol të rëndësishëm. Vetëm duke identifikuar këta faktorë mund të zhvillojmë instrumentet e duhura për të përmirësuar përvojën dhe jetën profesionale për të gjithë.
*Matthew Slater, Senior Lecturer in Sport and Exercise Psychology, Staffordshire University
*Martin J Turner, Associate Professor of Psychology, Staffordshire University
Burimi: World Economic Forum/Monitor