Dy turiste, një gjermane dhe tjetra polake, dyshohet se janë zhdukur në rajonin e Alpeve Shqiptare. Lajmin e ka bërë të ditur Admir Laliq, drejtor i Parqeve Kombëtare në Mal të Zi, në llogarinë e tij private në Facebook.
Postimi i tij është shpërndarë ndërkohë në rrjet. Ajo që dihet, sipas Laliqit, është se dy vajza kishin hyrë në Mal të Zi nga Shqipëria përmes pikëkalimit në Vermosh me veturën e tyre më 13 gusht.
“Më 14 gusht ato kanë kontaktuar me familjet e tyre dhe që nga ajo kohë janë zhdukur.
Ndërkohë, kemi gjetur makinën e tyre në një parking në komunën e Plavës”, shkruan ai duke u lutur më pas që kushdo që mund të ketë ndonjë informacion, të kontaktojë me autoritetet.
Dy turistet, duket se kanë zgjedhur të eksplorojnë natyrën e jashtëzakonshme të alpeve, por ashtu sic ka ndodhur edhe më parë, mungesa e informacioneve apo infrastrukturës turistike në rajon, mund të ketë çuar në humbjen e kontakteve.
Me shpresën se nuk u ka ndodhur asgjë e padëshirueshme, policia ka nisur kontrollet në zonë dhe autoritetet në Mal të Zi, Kosovë dhe Shqipëri, po bashkëpunojnë për gjetjen e tyre. ndërkohë në rrjetet sociale janë bërë shumë apele për të gjithë ata që mund t’i kenë parë dy vajzat.
/Top Channel/