Perandori Akihito hoqi dorë zyrtarisht nga pushteti, duke u bërë monarku i parë i Japonisë që abdikon në më shumë se 200 vite. 85-vjeçari mbajti fjalimin e tij të fundit si perandor, gjatë një ceremonie historike në Tokio. Ai e nisi ditën me një vizitë në memorialin “Kashikodokoro” për të raportuar veprimin e tij para perëndive. Ky ishte edhe hapi i parë i një dite ritualesh që do të kulmojnë në mesnatë, kur i biri princ i kurorës, Naruhito do të nisë mbretërimin si perandori i ri i Japonisë.

59-vjeçari do të bëhet perandori i 126 në monarkinë më të vjetër të trashëguar në botë. Akihito u bë perandor në vitin 1989 dhe gjatë sundimit të tij i kushtoi shumë kohë kapërcimit të trashëgimisë së rolit të Japonisë në Luftën e Dytë Botërore. Një sondazh i kohëve të fundit tregoi se, familja perandorake gëzon 80 për qind të mbështetjes publike, niveli më i lartë ky i mbështetjes i regjistruar ndonjëherë. Akihito do të marrë titullin e perandorit “emeritus”, por nuk do të ketë detyra zyrtare. Perandori e njoftoi synimin e tij për të abdikuar në vitin 2016, duke thënë se druhej që shëndeti i tij në përkeqësim nuk do ta lejonte t’i kryente detyrat e tij. 

/TCH/