Hashim Thaçi dekoron Dua Lipën

Mbrëmjen e kaluar, këngëtarja Dua Lipa ka mbajtur një koncert në Prishtinë, një event i cili ka mbushur sheshin me plot 18 mijë njerëz të pranishëm. Dua është shprehur e emocionuar në Instagram, duke e quajtur një natë magjike mbrëmjen e djeshme, megjithatë emocionet për të nuk kanë përfunduar me kaq. Paraditen e sotme, këngëtarja është dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritave për Kontribut të Kulturës nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Ka qenë vetë presidenti që e ka bërë publik lajmin duke shprehur mirënjohje dhe gëzim për arritjet e Duas në botën e muzikës. “Sapo prita Dua Lipën me babain e saj, këngëtarin e mirënjohur Dukagjinin. Pata kënaqësinë që Duan ta dekoroj me Medaljen Presidenciale të Meritave për Kontribut të Kulturës. Shpreha gëzim për arritjet e Duas në botën e muzikës dhe e falënderova për promovimin pozitiv që i bën Kosovës në mediat botërore. Kosova ka rini që sot po rrezatojnë me pozitivitet në të gjitha skenat, si sport, ashtu edhe muzikë, kulturë, art”,- shkruan Thaçi në Instagram.

Advertisement