‘Gruaja më tradhtoi në Suedi’/ Zbardhet dëshmia e Naim Murselit në Prokurori…

Mediat në Kosovë kanë zbardhur dëshminë e Naim Murselit, të bërë në prokurori pak ditë më parë. Murseli është i dyshuar kryesor për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj, më 22 nëntor të vitit 2023.

Para prokurorëve Murseli ka thënë se ka qenë në dijeni se Granit Plava ishte personi që shtiu me armë zjarri për të vrarë bashkëshorten e tij, por ka mohuar se ai është porositësi i ekzekutimit.

Advertisement

Vlen të theksohet se Murseli ka pranuar se është takuar me të dyshuarin për vrasje, Granit Plavën, më 22 nëntor.

“Në ditën kritike unë isha ne Gjakovë për pune personale dhe rastësisht jam takuar me Granitin ku Kushtrimi i ka treguar se ku do të takohemi. Ne jemi takuar në Kramovik në rrugë dhe ai ishte kthyer tek vendi i punës dhe ai ka parkuar automjetin e tij në atë lokacion tek pompa Eko ku punonte dhe ka vazhduar me mua me veturën time Land Rover me targat 07-669-CM ngjyrë e zezë, ku së bashku jemi nisur në drejtim të restorant Liqeni i Dukagjinit, por gjatë rrugës goma e veturës mu dëmtua dhe vazhduam për ta gjetur një gomister për ta rregulluar gomën, ku në afërsi të Dujakës hasëm në një autolarje dhe mekanik i fshatit i cili na ndihmoi për ta rregulluar gomën”,- ka rrëfyer Naim Murseli.

“Personi i cili na ndihmoi e pyeti Granit Plava nëse është i interesuar për armë dhe ai i thotë ‘po vetëm dua ta shoh fillimisht’. Dhe i pëlqeu, por nuk kishte para me vete dhe mi kërkoi mua dhe unë ia dhashë 250 euro aq sa edhe ka kushtuar arma, nga aty pasi u rregullua goma më telefonon bashkëshortja dhe më tregon se ka mbërrit në Prishtinë pa dijeninë time. Unë nisem në drejtim të Prishtinës së bashku me Granitin, por gjatë rrugës Graniti më kërkoi ta dërgoja në fshatin Kralan ku kishte për të marrë një veturë. Dhe, ndaras kemi vazhduar për në Prishtinë, ku ai me ka ndjekur mbrapa deri në afërsi të shtëpisë time, ku jemi barazuar me vetura dhe më ka thënë se unë tash e di çka bëj”,- ka thënë ai.

Ndër të tjera, Murseli ka deklaruar se edhe pse e ka ditur se vrasësi ishte Granit Plava, nuk ka besuar se ky i fundit do kishte guximin të vriste.

“Në afërsi të shtëpisë, Graniti doli i maskuar në rrugë me armë të drejtuar drejt nesh. Edhe pse isha ne dijeni për prezencën e tij unë asnjëherë nuk kam besuar në të vërtetë se Graniti do të marrë veprime për vrasje. I shokuar kam ndaluar, i kam çuar duart lart dhe i kam thënë bashkëshortes jepja krejt çfarë të kërkon dhe në një moment unë kam hapur derën time, pastaj derën e fëmijëve duke i thënë edhe bashkëshortes të largohet nga vetura. Në momentin që jemi larguar disa metra, kam dëgjuar një krismë, por pa e parë se çfarë ndodhi”,- ka thënë Murseli.

Naim Murseli ka pohuar se kohëve të fundit kishte disa probleme dhe zënka me Liridonën.

“Një problem familjar ku kanë dal në shesh disa SMS-a me një të afërt. Këta SMS-a ia kanë dërguar bashkëshortes sime dhe kjo e ka rënduar tej mase lidhjen tonë martesore. Pas kësaj ngjarje, presioni dhe kontrolli ndaj meje është shtuar ku unë kam kërkuar ndarjen, mirëpo kategorikisht bashkëshortja nuk ka pranuar dhe në një ndejë në Malmo të Suedisë, bashkëshortja më ishte hakmarrë duke më tradhtuar me një person të huaj aty”,- ka thënë Naim Murseli para hetuesve.

“Këtë ngjarje unë e kam parë me sytë e mi, mirëpo nuk ia kam shprehur në asnjë moment. Kjo ngjarje sigurisht që më ka rënduar dhe ndikuar në raportin tonë. Unë si bashkëshort të gjitha kushtet ia kam plotësuar dhe kam dashur që ajo të jetë e lumtur”, është shprehur ai.