Partia Demokratike zyrtarizoi të mërkurën kandidaturën e Grida Dumës për kryetare të Bashkisë së Durrësit. Kjo u bë e ditur nga kryetari demokrat, Lulzim Basha, pas një takimi në këtë qytet.
Basha e cilësoi kandidaten Duma një figurë emblematike, intelektuale të kalibrit europian dhe administratore e sprovuar.
“Sot është dita kur shpallim kandidaturën tonë për një Durrës, qytet europian dhe modern. Ne demokratët, këtu në Durrës dhe në mbarë Shqipërinë, kemi premtuar një ofertë të re, e cila vjen përmes bashkimit të kontributeve dhe identifikimit të vlerave të bijëve e bijave më të mirë të Durrësit. Për këtë ofertë ka patur disa personalitete, njëri më dinjitoz se tjetri, por zgjedhja e PD-së dhe e aleatëve tanë, pa asnjë rezervë, shkon tek një bijë Durrësi, tek një fytyrë emblematike e nisjes së re të demokratëve, tek një intelektuale e kalibrit europian, e një akademikeje të shkëlqyer dhe një administratore e sprovuar. Kjo është Grida Duma”, tha Basha.
Ai nënvizoi se dhe oferta e Partisë Republikane për bashkinë e Durrësit, Agron Duka, një figurë dinjitoze, do të ndihmojë në fitoren e opozitës.
Grida Duma, duke vlerësuar kandidimin në krye të bashkisë së Durrësit, tha se zgjedhja e saj në këtë post do të shënonte nisjen e një etape tjetër për këtë qytet, si dhe do t’i kthente shpresën metropolit të dytë të rëndësishëm të Shqipërisë. “Po kthehem tek qyteti i lindjes, pasi Durrësi e meriton t’i kthehet qytetaria”, u shpreh kandidatja e PD-së.