Greqi | TAP: firmoset marrëveshja ndërqeveritare Shqipëri-Itali-Greqi

Qeveritë e Greqisë, Italisë dhe Shqipërisë përforcuan sot mbështetjen e tyre të plotë dhe zotimin me Projektin Trans Adriatic Pipeline duke nënshkruar një marrëveshje ndërqeveritare tri palëshe. Marrëveshja u nënshkrua në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Greqisë në Athinë dhe përforcon një sërë angazhimesh të Greqisë, Italisë dhe Shqipërisë lidhur me çuarjen përpara të zhvillimit, ndërtimit dhe funksionimit të gazsjellësit TAP. Në kuadrin e Traktateve të Komunitetit dhe Traktatit të Komunitetit të Energjisë, kjo marrëveshje do të sigurojë bashkëpunimin e shteteve lidhur me dorëzimin në kohë dhe funksionimin efikas të gazsjellësit TAP. Kjetil Tungland, Drejtori Menaxhues i TAP-it, deklaroi: “Dëshiroj të falënderoj të gjithë qeveritë për mbështetjen dhe përkushtimin që solli sot nënshkrimin e kësaj marrëveshje të rëndësishme. Kjo marrëveshje midis vendeve pritëse të TAP-it hap themele të forta dhe vendos sigurinë afat gjatë që nevojitet për të çuar projektin përpara drejt përzgjedhjes dhe ndërtimit. Tani ne shohim përpara që të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të frytshëm dhe të bëjmë Projektin TAP një realitet.” Ministri i Ekonomisë Edmond Haxhinasto theksoi se me këtë marrëveshje, Shqipëria ka mundësi furnizmi me gaz të lirë në një projekt me vlerë “mbi 2 miliardë dollarë amerikanë investime vetëm në territorin e saj” si dhe shtoi “se gjatë ndërtimit dhe funksionimit të tij mbi 20 mijë qytetarë shqiptarë do të punësohen”. Haxhinasto e vlerësoi TAP-in si një projekt madhor për secilin nga vendet, rajonin dhe Europën. “Me këtë projekt Shqipëria bëhet një kontributor direkt për sigurinë energjetike në Europë”,- tha ministri Haxhinasto gjatë firmosjes në Athinë. Ai e konsideroi TAP-in si një urë që i bashkon vendet rreth një qëllimi të përbashkët për bashkëpunimin, integrimin, sigurinë dhe prosperitetin.

Advertisement