Tiranë | Zbardhet “21 Janari”: nuk u provua akuza për vrasje me dashje

Gjykata e Tiranës zbardhi sot vendimin lidhur me ngjarjen e “21 janarit”. Trupi gjykues i çështjes bëri publik argumentimin e vendimit që mori pak ditë më parë, duke shpallur pafajësinë e ish- kreut të Gardës së Republikës, Ndrea Prendi dhe ish -komandantit të njësisë speciale në Gardë, Agim Llupo. Sikurse pretendohet nga trupi gjykues, në argumentimin e vendimit, ndaj dy ish- drejtuesve të Gardës, nuk u provua akuza për vrasje me dashje. Në 36 faqe tre togat e zeza kanë arritur në përfundim se nuk ka prova të mjaftueshme për të vërtetuar se gardistët Ndrea Prendi dhe Agim Llupo të dënohen për veprën penale të “vrasjes me dashje”. Gjykata argumenton për Ndrea Prendin: “Në rastin në gjykim gjatë gjykimit u provua se fakti i paraqitur nuk përbën veprën penale për të cilën akuzohet i pandehuri Ndrea Prendi, por nuk rezulton të jenë bërë hetime të plota për të përcaktuar,zbardhur dhe vërtetuar faktin,si rrjedhim gjykata nuk mund të shtojë akuzë dhe as të marrë atributet e prokurorisë(neni 24/1 i K.Pr.Penale) për të bërë hetime të tjera dhe për të ngritur akuza të reja në process.Institucioni i akuzës mund dhe duhet të bëjë këtë detyrë në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe ligjore që ka”. Ndërsa për akuzën në ngarkim të Agim LLupos argumenton se: “Organi i akuzës nuk paraqiti asnjë provë për të vërtetuar se i pandehuri Agim Llupo synonte dhe dëshironte ardhjen e pasojës tragjike atë të vdekjes së Ziver Veizi dhe Hekuran Deda dhe të personave të tjerë të plagosur.Madje organi i akuzës nuk arriti të provonte asnjë lloj lidhje apo njohje mes të pandehurit apo viktimave dhe nuk u provua asnjjë aspekt të dashjes në ardhjen e pasojës. Sipas kërkesave ligjore për tu provuar akuza e ngritur atë të vrasjes me dashje të Ziver Veizi duhet të provohet se ai ka pasur objektiv për ta vrarë dhe ka qëlluar në drejtim të tij për të realizuar këtë qëllim.Kjo hipotezë e akuzës është krejtësisht e pabazuar dhe pambështetur në prova”. Dy ish- drejtuesit e Gardës së Republikës u akuzuan nga prokuroria për veprën penale të vrasjes, gjatë protestës së dhunshme të opozitës në 21 janar 2011, para selisë së Kryeministrisë. Si i pandehur në këtë proces ishte edhe Margarit Kume, shoferi i ish-drejtuesit të Gardës, i akuzuar për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Në këtë rast, prokuroria u tërhoq nga akuza e ngritur kundër Kumes.

Advertisement