Ka qenë kryeministri grek, Jorgos Papandreu, i cili bëri një kërkesë zyrtare për një paketë të përbashkët nga Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar, prej 40 miliardë eurosh, ndërsa Olli Rehn tha se kjo kërkesë mund të zbatohet, megjithë rezistencën politike dhe popullore, veçanërisht në Gjermani, kundër saj. Kryeministri grek, Jorgos Papandreu kërkoi fillimin e zbatimit të një pakete të përbashkët financiare të Eurozonës dhe FMN-së për ta nxjerrë vendin nga kriza e borxhit. “Qeveria dhe populli grek kanë trashëguar një vend që i ngjan një varke gati për t’u mbytur, një vend pa prestigj që ka humbur respektin e miqve dhe partnerëve, një ekonomi që u la e pambrojtur nga grykësia e spekulatorëve”, u shpreh ai lidhur me një fakt të tillë.