Greqi | Bushati-Samaras: Greqia, partner i rëndësishëm strategjik i Shqipërisë në rajon

“Greqia është një partner i rëndësishëm strategjik i Shqipërisë në rajon”, u shpreh sot Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, gjatë një takimi me Kryeministrin e Republikës së Greqisë, Antonis Samaras. Kryeministri Samaras dhe Ministri Bushati shprehen mendimin për nevojën e progresit të mëtejshëm në marrëdhëniet mes dy vendeve. Ata shprehën besimin në ndërtimin e një klime bashkëpunimi konstruktiv në të mirë të të dy vendeve dhe popujve tanë, duke i kontribuuar njëkohësisht paqes, sigurisë dhe zhvillimit të të gjithë rajonit. Ministri Bushati, duke theksuar vëmendjen e veçantë që Shqipëria i kushton bashkëpunimit dhe marrëdhënieve me Greqinë, i rikonfirmoi Kryeministrit Samaras se Greqia është një partner i rëndësishëm strategjik i Shqipërisë në rajon. Gjithashtu ai vleresoi rolin e presidencës greke të BE-së, duke shprehur njëkohësisht besimin se Greqia do të vijojë të jetë avokate e ankorimit të rajonit në rrjedhat evropiane. Ministri Bushati shprehu vullnetin e palës shqiptare për trajtimin e të gjitha çështjeve të hapura midis dy vendve në frymën e besimit të ndërsjellë, përmes dialogut dhe konsultave në të gjitha nivelet, në përputhje me realitetin e ri në Ballkan. Nga ana e tij, Kryeministri Samaras, duke iu referuar prioritetve të Presidencës greke të Bashkimit Evropian, siguroi për mbështetjen politike të Greqisë në integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE dhe insistimin e saj për marrjen e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë në muajin Qershor. Gjithashtu ai shprehu vullnetin e palës greke për të shkuar drejt një marrëdhenieje të orientuar nga zgjidhja e problemeve, duke mos mbetur peng i së shkuarës. Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan rëndësinë e projektit TAP për sigurinë energjetike të rajonit, si një mundësi e bashkëpunimit të mëtejshëm mes Greqisë, Shqipërisë dhe Italisë. Kryeministri Samaras shprehu dëshirën për të vizituar Shqipërinë së shpejti.

Advertisement