Tiranë | Rama: Qasje e re dhe e qëndrueshme në mbështetje të fermerëve

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, bëri publik planin e qeverisë për të mbështetur fermerët në mënyrë që të rritet prodhimi si dhe të dilet më lehtësisht në treg. Rama, duke folur në konferencën “Pagesat në bujqësi si mjet zhvillimi”, në Hotel “Tirana International”, tha se fshati dhe perspektiva e zhvillimit të tij zënë një vend të rëndësishëm në prioritetet e “Aleancës së Shqipërisë Europiane”. Në funksion të përmbushjes së këtij prioriteti kreu i qeverisë tha se na dalin përpara dy sfida të mëdha. “Qeveria në bashkëpunim me grupet e interesit, apo vetë ata që i japin jetë përditë këtij sektori, kemi përballë dy sfida kryesore. T’i përgjigjemi me anë të skemave të mbështetjes gjendjes së sotme ku e kemi gjetur fshatin, e cila dihet botërisht që është shumë e vështirë dhe sfida e dytë e përbashkët, të përgatitemi si duhet për të ardhmen, në raport me nevojat që do të kemi për prodhimet e vendit dhe eksportin, duke patur parasysh edhe zhvillimin e pandalshëm demografik”, vuri në dukje Rama. Për ta bërë më konkret angazhimin e qeverisë për këtë sektor Rama tha se “kemi riformatuar tërësisht sistemin e skemës së mbështetjes. Për vitin 2014 kjo skemë kap shifrën 1 miliardë e 655 milionë lekë”. Një suport tjetër, me anë të të cilit qeveria do t’i vijë në ndihmë këtij sektori, sipas Ramës, është edhe hapja e shkollave profesionale. “Ne jemi të vendosur që, duke shpresuar edhe në mbështetjen e kontributorëve të huaj, të ndërtojmë një sistem të besueshëm shkollash të mesme profesionale të teknikave bujqësore dhe blegtorale pranë zonave ku ka aktivitet të zgjeruar bujqësor apo blegtoral”, tha Rama. Kryeministri, në fjalën e tij u ndal edhe në atë që e cilësoi si element jashtëzakonisht të rëndësishëm edhe për fushën e zhvillimit rural, reformën territoriale. “Nëse flasim sot këtu për skema të reja të mbeshtetjes për bujqësinë, reforma territoriale është kryeskema”, vlerësoi Rama. Ndërsa, duke iu referuar edhe dakordësisë në thelb, që politika ka për këtë çështje, kryeministri tha se “si për rrallë çështje tjetër vetë politika shqiptare, që është e gatshme të ndahet edhe kur vjen puna për të përcaktuar nëse është natë apo është ditë, në këtë çështje është absolutisht e një mendjeje. Duhet një reformë territoriale”.“Reforma territoriale, në këndvështrimin tonë nuk është thjesht një ndarje e re administrative, një shkurtim i domosdoshëm i shumë shpenzimeve të kota, apo shkurtimi i domosdoshëm i shumë bishtave të gjithë krijesës së korrupsionit kapilar, por është mundësia për kushte të reja të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit. Është mundësia për sisteme të reja të integruara të administrimit të burimeve natyrore, mundësia për t’i dhënë vetes një aftësi të re në mirëtrajtimin e burimeve të jetës, duke filluar nga uji, toka dhe gjithë pasuritë e tjera natyrore, që janë dhe baza e punës dhe të ardhurave në sektorin e bujqësisë”, argumentoi Kreu i Ekzekutivit. “Një territor kaq shumë i fragmentuar, i cili imponon fragmentime të administrimit të sistemeve të ujit, transportit, të mbledhjes e përpunimit të mbeturinave, të sistemit të planifikimit dhe financimit, të aktiviteteve në hapësirën rurale, është në vetvete një ballancë absolutisht e pafavorshme për zhvillimin rural. Ndarjet e reja administrative, në radhë të parë, mundësojnë politika të reja punësimi, krijojnë kushte për ulje të pabarazive të thella midis zonave urbane dhe rurale, që mundësojë shërbime shumë më cilësore dhe që e fundit, por jo për nga rëndësia, na krijojnë një instrument të ri për të kompaktësuar dhe maksimilizuar gjithë ndihmën e huaj apo të gjitha financimet alternative përpos financimit direkt nga buxheti i shtetit”, vlerësoi Rama. Rëndësi në fjalën e tij Kryeministri i dha edhe zhvillimit të tregut të integruar rajonal, ku veçoi si më me rëndësi bashkëpunimin në këtë drejtim me Kosovën. Ai bëri me dije se mes dy qeverive tashmë janë hedhur hapat e parë të bashkëpunimit drejt realizimit të këtij objektivi.

Advertisement